Scholz dhe Stoltenberg për Ukrainën: Mbështetje po, ndërhyrje jo

18/03/2022 08:11

Kancelari i Gjermanisë Scholz dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg në kuadër të takimit në Berlin theksuan, se NATO nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në luftën e Ukrainës. Ata e kritikuan ashpër Rusinë.

Kancelari  Olaf Scholz dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin (17.03) kritikuan ashpër sulmet ndaj Ukrainës.

Ata theksuan njëkohësisht, se NATO nuk do të ndërhyjë në konflikt. “NATO mban përgjegjësi që të mos lejojë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit”, tha Stoltenberg. Një ndëryhrje do të ishte më e rrezikshme dhe do të shkaktonte më shumë vuajtje, të vdekur dhe shkatërrim. “Putin mbështetet vetëm tek dhuna”, kritikoi Scholz. Presidenti rus po shkakton në Ukrainë vuajtje të tmerrshme.

Deklarohet mbështje e mëtejshme

Scholz dhe Stoltenberg, siguruan Ukrainën për mbështetje të mëtejshme. “Ne qendrojmë në krahun e Ukrainës”, theksoi  Scholz. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj paradite iu drejtua me “fjalë emocionale” Bundestagut duke përshkruar gjendjen e vështirë, tha Scholz: “Fati i njerëzve në Ukrainë na prek thellë.” Scholz deklaroi se Gjermania do të vazhdojë ndihmat e mëtejshme “përmes mjeteve financiare, ndihmave humanitare, si dhe përmes furnizimeve me pajisje ushtarake”.

Armatim në vend të ndërhyrjes

Ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s po konsultohen lidhur me zgjerimin e pranisë në territorin lindor të aleancës.

Stoltenberg vlerësoi mbështetjen gjermane ndaj Ukrainës në këtë drejtim. Edhe pranimi i dhjetra mijëra refugjatëve nga Ukraina tregon “zemërgjerësinë dhe solidaritetin”, tha ai. Njëkohësisht Stoltenberg vlerësoi përpjekjet e kancelarit Scholz, për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike përmes kontakteve direkte me kreun e Kremlinit Putin.

Scholz: “Shenjë e vullnetit tonë”

Duke iu referuar forcimit të gatishmërisë së aleancës për mbrojtjen Scholz tregoi “guxim politik” që nga ky vit të rrisë shpenzimet për mbrojtjen me dy përqind të produktit të brendshëm bruto, tha Stoltenberg. Edhe blerja e planifikuar e avionëve të rinj luftarakë është një hap i rëndësishëm. Scholz e cilësoi krijimin e një kapitali të posaçëm prej 100 miliardë eurosh për forcimin e Bundesëehr-it si një “shenjë të vullnetit dhe vendosmërisë sonë për të reaguar ndaj gjendjes së ndryshuar”./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA