Një pjesë e luftës në Ukrainë është në Telegram

18/03/2022 14:59

Në javët e fundit, aplikacioni i mesazheve Telegram është shndërruar në një burim kryesor informacioni dhe komunikimi në Ukrainë. Qytetarët po i largohen gjithnjë e më shumë informimit përmes kanaleve tradicionale, siç janë radio dhe televizioni, kjo edhe për shkak të sulmeve të vazhdueshme në infrastrukturë, por edhe në Rusi, lajmet për luftën që transmetohen në mediat kombëtare filtrohen nga censura dhe propaganda qeveritare.

Platforma, tashmë e përhapur në Evropën Lindore para luftës, vazhdon të ketë probleme të mëdha me dezinformimin dhe nuk është aplikacioni më i sigurtë i mesazheve që mund të përdorin ata që organizojnë rezistencën ndaj një pushtimi, as ata që kundërshtojnë një qeveri autoritare.

Telegram u themelua nga sipërmarrësi rus Pavel Durov dhe vëllai i tij Nikolai në vitin 2013 dhe megjithëse konsiderohet kryesisht një aplikacion mesazhesh që konkurron me WhatsApp ose Signal, ai ofron disa veçori që të kujtojnë një rrjet të vërtetë social.

Telegrami karakterizohet veçanërisht nga bisedat e tij në grup, të cilat mund të regjistrojnë deri në 200 mijë anëtarë.

Falë këtij funksioni dhe faktit që kompania tenton të moderojë sa më pak përmbajtjet brenda platformës, duke refuzuar sistematikisht të bashkëpunojë me qeveritë që kërkojnë informacione për përdoruesit e saj, Telegram ndër vite është bërë një pikë referimi për aktivistët, lëvizjet protestuese dhe organizatat pak a shumë klandestine të të gjitha llojeve, duke filluar nga protestuesit për demokracinë në Hong Kong, tek supremacistët e bardhë dhe deri tek lëvizjet kundër vaksinës Covid, lëvizjet opozitare në Iran dhe Bjellorusi.

Platforma përdoret nga mbi 550 milionë njerëz në mbarë botën dhe madje edhe para luftës ishte aplikacioni më i popullarizuar i mesazheve në Ukrainë, i shkarkuar nga rreth 70% e popullsisë. Me shpërthimin e luftës, Telegram po luan një rol qëndror edhe si burim lajmesh për përdoruesit rusë dhe ukrainas, të cilët nuk kanë akses në media të tjera, për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës por edhe për shkak të propagandës dhe lajmeve të rreme.

Disa anëtarë të qeverisë ukrainase po e përdorin gjithashtu me mençuri aplikacionin, duke filluar me presidentin Volodymyr Zelensky, i cili tashmë kishte zhvilluar një pjesë të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2019 në Telegram dhe ndiqet nga mbi 1.5 milionë njerëz.

Në kanalin e tij zyrtar, Zelensky publikon video dhe informacione të përditshme mbi luftën, por edhe këshilla praktike për t’u ruajtur nga shpërthimet e bombave, duke mos munguar edhe mesazhet dhe thirrjet drejtuar qytetarëve që të vazhdojnë rezistencën e tyre kundër pushtimit rus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA