Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe ajo e Bujqësisë, Frida Krifca në një deklaratë për mediat këtë të premte folën për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe imputeve bujqësore.
Ibrahimaj theksoi se nuk do të lejohet asnjë abuzim nga ana e bizneseve në këtë kohë të vështirë për të gjithë botën.
“Nesër do vijojmë takimet me qëllim mbylljen e një procesi për instrumentin që do bëjë transparencë për çmimet e produkteve të shportës në pikat e tregtimit me pakicë. Kjo është situatë e pazakontë, në të cilën ne nuk do të donim të ndërhynim dhe që ka nevojë për monitorim. Lufta krijon pasiguri dhe ka bërë që të ketë rritje të larta të çmimeve për disa produkte të shportës.
Këto çmime jo në të gjitha rastet tregojnë për rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Qëllimi i bordit është përcaktimi i instrumentit që do kontrollojë çmimet dhe nuk do lejojë që të rriten në mënyrë jokonsistente me ato të importit. Tregu nuk monitorohet lehtë, disa prej tregtarëve janë importues direkt, disa janë përpunues e disa paketues e shitës. Bordi do të ketë si detyrë monitorimin e kostove të prodhimit për të gjithë tregtarët kryesorë dhe monitorimin e marzheve të fitimit.
Kompanitë prezentë në mbledhjen sot kanë dhënë dakordësi për të patur marzh fitimi minimal mbi produktet bazë, më të rëndësishme. Ne nuk mund të kontrollojmë çmimin, vjen nga inflacioni i importuar. Në vijim do informojmë mbi të gjithë aktivitetin e bordit dhe instrumentin e monitorimit. Do ketë një mekanizëm që do përcaktojë si do kontrollohen tregtarët me pakicë që mos lejojmë abuzim. Kemi vendosur një garanci që do përdoret nga tregtarët kryesorë që të garantojnë blerjet e tyre që produktet të mos mungojnë në një periudhë afatmesme”, tha ministrja e Ekonomisë.
Ajo shtoi se është vendosur një garanci për tregtarët që mos të mungojnë produktet.
“Ne nuk mund të kontrollojmë çmimin, çmimi në Shqipëri vjen nga inflacioni i importuar dhe gjatë gjithë ditëve të analizës kemi parë sa është rritur inflacioni në gjithë tregjet botërore. Ne nuk mund të vendosim çmimet që do donim, çmime arbitrare sepse jemi në një ekonomi tregu. Në ditët në vijim do ju mbajmë të informuar mbi aktivitetin e bordit dhe instrumentet e veprimit. Ne do bashkëpunojmë më tregtarët që të mos abuzohet. Kemi vendosur një garanci që do të përdoret nga tregtarët kryesorë, që të garantohen blerjet e tyre dhe produktet në tregun shqiptar të mos mungojnë për një periudhë afatmesme, që familjet shqiptare të paguajnë atë që duhet të paguajnë dhe asnjë qindarkë me shumë”, shtoi Inrahimaj.
Bizneset kanë rritur ndjeshëm çmimet e produkteve të shportës, duke krijuar vështirësi në përballimin e jetesës.
Nëntë kompani importuese dhe prodhuese të vajit sot janë nën hetim për abuzim për rritje çmimesh.
Hetimi pason ngritjen e një bordi të posaçëm për kontrollin e çmimeve të shportës ku bën pjesë edhe vaji vegjetal, për të shmangur abuzimet në këtë periudhë krize në kurriz të konsumatorëve deri në normalizim të situatës.
Top Channel