120 raste mashtrimi! Zbardhet hetimi i BE-së, ish-kryeministri bullgar në pranga për fondet 

18/03/2022 13:25

Askush nuk është mbi ligjin, shkroi në faqen e tij në Facebook kryeministri bullgar Kiril Petkov në ditën kur paraardhësit të vet i viheshin prangat për abuzim me fondet e BE-së. Bojko Borisov, ish-kryeministri i Bullgarisë, u arrestua mbrëmjen e së enjtes gjatë një aksioni policor që lidhej me hetimet e Zyrës së Prokurorit Publik Europian.

Gazeta bullgare Dnevnik thotë se janë arrestuar gjithashtu edhe  ish-ministri i Financave Vladislav Goranov, ish-kryetarja e komisionit parlamentar të buxhetit Menda Stoyanova dhe këshilltarja e Borisovit për media, Sevdalina Arnaudova.

Në një lëvizje që mund të kthehet në një moment të madh llogaridhënie në Bullgari, u organizua një operacion madhor i lidhur me 120 raste mashtrimi të mundshëm që po hetohen nga Zyra e Prokurorit Evropian. Vetë prokurorja, Laura Codruța Kövesi, vizitoi Bullgarinë ditët e fundit, duke parashtruar aty mundësinë e veprimit ndaj abuzimeve të mëdha me fondet e bllokut europian në sektorë të tillë si bujqësia, ndërtimi dhe çështjet publike-problem këto që kanë e pllakosur Bullgarinë prej vitesh.

Avokati i Borisov, Menko Menkov, u tha gazetarëve se për momentin, ndaj ish kryeministrit nuk është ngritur padi. Ai u dërgua në paraburgim me mundësinë e ndalimit për 24 orë. Menkov tha më vonë se rasti i Borisov kishte të bënte me zhvatje dhe jo me abuzim të fondeve të BE-së. Partia GERB e tij është e përfaqësuar në Parlamentin e BE-së në grupin e partive popullore europiane.

Borisov, i cili dominoi politikën e Bullgarisë për më shumë se një dekadë, u detyrua të largohej nga pushteti në prill të vitit të kaluar nw mesin e nje krize që pushtoi vendin e përshkruar rëndom si më i korruptuari në Bashkimin Europian.

 

 

Top Channel