“Thesari” brenda në shtëpi/ Arrestohet 61-vjeçari, vodhi 4.000 sende pasuri kulturore

17/03/2022 12:29

Policia ka dhënë detaje për operacionin e koduar “Cultural Heritage”. Është vënë në pranga një 61-vjecar, i identifikuar si A.K., banues në rrugën Ali Demi në Tiranë.

Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një apartament në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Shyqyri Brati”, kanë gjetur rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme.

Në bashkëpunim me specialistët dhe ekspertët e Institucioneve të Specializuara në Ministrinë e Kulturës vijon puna për inventarizimin e këtyre objekteve dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel