”Nuk ndalojmë pushtimin”, Kremlini refuzon vendimin e GJND-së!

17/03/2022 15:41

Kremlini ka refuzuar urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të ndalur sulmet në Ukrainë me pretendimin që të zbatohet kjo kërkesë, në fillim të dyja palët duhet të pajtohen për t`i dhënë fund armiqësive.

Duke folur para gazetarëve një ditë pasi Gjykata më e lartë e OKB-së shpalli vendimin e saj,  zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dmitry Peskov tha ftohtë se Moska se “nuk mund të marrë atë parasysh”.

Ukraina e paraqiti rastin e saj në GJND menjëherë pasi filloi pushtimi rus në 24 shkurt, duke thënë se justifikimi i deklaruar i Moskës, se po vepronte për të parandaluar një gjenocid në Ukrainën lindore, ishte i pabazuar.

Gjykata tha se Moska duhet të sigurojë që “cdo njësi e armatosur ushtarake ose e parregullt, që mund të drejtohet ose mbështetet prej saj, si dhe çdo organizatë dhe person që mund t’i nënshtrohet kontrollit ose drejtimit të saj, nuk du7het të ndërmarrë asnjë hap për të çuar përpara operacionet ushtarake të përmendura në këtë pikë”.

Por sipas Peskovit, nuk mund të merret pëlqimi nga të dyja palët për këtë çështje, ndaj vendimi është i pavlefshëm. Institucioni më i rëndësishëm gjyqësor i Kombeve të Bashkuara kërkoi po kështu që të dyja palët “te frenohen nga cdo lloj veprimi që mund të përkeqësojë situatën para Gjykatës, apo ta bëjë më të vështirë zgjidhjen e saj”.

Megjithëse vendimet e këtij organizmi janë të detyrueshme, GJND-ja nuk ka mjete të drejtpërdrejta për t’i zbatuar ato, dhe në raste të rralla në të kaluarën disa vende i kanë injoruar.

Top Channel