Bloomberg: Qeveritë europiane “hedhin para” për zbutjen e çmimeve të energjisë!

17/03/2022 15:32

Qeveritë europiane po kërkojnë të zbusin pak goditjen nga rritja e çmimeve të energjisë dhe mallrave të tjera që ka prekur kontinentin e vjetër, duke synuar në të njëjtën kohë, siç thotë Bloomberg, të ruajnë mbështetjen e votuesve për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

Greqia i dha dritën jeshile paketës së ndihmës sociale që parashikon 1.1 miliardë € për familjet me të ardhura të ulëta që llogariten deri në 30 mijë euro në vit; kjo kategori përfiton dhe ulje të karburantit, ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse për ngrohje.

Parashikohet po kështu  ulje taksash e çmimesh, bllokim i taksës mbi pasurinë  e patundshme, subvencion për fermerët si dhe një mekanizëm për vendosjen e një tavani të çmimit. Masat kanë afat tre mujor: prill, maj, qershor. po për të njëjtin qëllim, ekzekutivi gjerman miratoi një paketë 4.5 miliardë euro lehtësirash tatimore tatimor për konsumatorët dhe po diskuton për ndihmë të mëtejshme.

Koalicioni i kancelarit Olaf Scholz ka vazhduar të kërkojë mënyra për menaxhimin e ngërçit të krijuar nga ekspozimi i madh i vendit të tij ndaj gazit rus. Roma zyrtare është gjendur gjithashtu nën presionin të gjejë një zgjidhje të shpejtë të shtrenjtimit të energjisë. Në tryezën e Këshillit të ministrave është ulja e akcizës së karburanteve, ndërsa synohet ndërhyrja mbi rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe gazit duke rimodeluar bonuset sociale e duke menduar për forma të reja pagesash me këste. Prej muajsh tashmë, çmimet e energjisë vazhdojnë rritjen për shkak të një krize të inflacionit të nisur në fundin e vitit 2021, e cila më pas, u përkeqësua ndjeshëm nga konflikti në Ukrainë.

Benzina në Itali kushton aktualisht  2,208 euro litri. Vende të tjera gjithashtu po përpiqen të reagojnë ndaj situatës së rënduar. Franca, me zgjedhjet presidenciale një muaj larg, ka nisur të shohë protestat e para ndaj rritjes së çmimeve pasi kamionistët, fermerë e peshkatarë bllokuan të martën dy porte në Bretanjë, ndaj po vihet ne lëvizje per masa lehtësuese.

Spanja është duke shqyrtuar kufijtë e çmimeve të energjisë dhe planifikon lehtësime taksash deri në fund të marsit ndërsa Portugalia ka ulur taksën e karburantit dhe ka ofruar kredi prej 400 milionë eurosh për industritë e prekura.

Top Channel