Një gjeneral i katërt rus është vrarë në Ukrainë, shenjë e qartë kjo se krerët ushtarakë të Moskës po detyrohen të drejtojnë vetë në front, thotë BBC.
Anton Gerashchenko, këshilltar në ministrinë e brendshme ukrainase, pretendon se gjatë luftimeve të ashpra në periferi të qytetit jug-lindor të Mariupolit, forcat e vendit të tij kanë vrarë gjeneral majorin rus Oleg Mityaev. Gerashchenko shkruan se Mityaev, i cili kishte luftuar edhe në Siri, ishte drejtuesi divizionit të 150-të të motorizuar, e postoi dhe një foto të atij që thotë se është oficeri i vdekur rus.
Presidenti Volodymyr Zelensky raportoi dhe ai vdekjen e një gjenerali tjetër të Moskës në video-regjistrimin e vet më të fundit, por nuk e përmendi emrin e tij. Rusia besohet të ketë rreth 20 gjeneralë majorë që po drejtojnë pushtimin në Ukrainë. Ushtria ukrainase pretendon se në tokën e vendit të sulmuar prej Rusisë, kanë gjetur vdekjen edhe tre krere të tjerë ushtarakë të Moskës: Gjeneral major Andrei Kolesnikov, gjeneral major Vitaly Gerasimov, dhe Andrei Sukhovetsky.
Tashmë në javën e tretë të pushtimit, avancimi i trupave ruse duket sikur ka ngecur mes problemeve logjistike dhe një organizimi të calë të tyre, pasojë duket dhe e faktit që rezistenca e ukrainasve rezultoi shumë më e fortë nga sa e priste Moska.
Top Channel