Rusia: Ukraina, neutrale si Suedia e Austria: Jemi shumë pranë kompromisit!

16/03/2022 14:34

Hapja e Ukrainës ndaj mundësisë së statusit neutral, ka ngrohur Moskën.

Fill pas kësaj, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se neutraliteti i Ukrainës po diskutohet bashkë me garancitë e sigurisë, pavarësisht se bisedimet, sic u shpreh ai, janë të vështira.

“Siguria e njerëzve në lindje të Ukrainës, çmilitarizimi dhe të drejtat e popullit rusishtfolës në këtë vend ishin pika kyçe të diskutimit”, ka sqaruar ai për BBC-në. Pak më vonë, erdhi dhe një tjetër shpjegim nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai tha se aktualisht se në bisedimet me Kievin, po diskutohet ideja e një statusi neutral të Ukrainës të ngjashëm me atë modelin austriak ose atë suedez.

Me tone disi më optimist u shpreh më herët për negociatat edhe pala ukrainase. Kievi tha se sheh hapësirë ​​të mundshme për kompromis, pavarësisht bombardimeve të shtuara të Moskës sidomos në qytetin port të Mariupolit.

Zhvillimet e shpejta në frontin diplomatik por edhe në terren erdhën në kohën kur pushtimi i Rusisë i afrohet pragut trejavor, teksa numri i ukrainasve të larguar nga vendi mbërriti në 3 milionë. Presidenti Volodymyr Zelenskyy e pohoi se kërkesat e Rusisë po bëhen “më realiste”.

Zelensky: Duhen ende përpjekje, nevojitet durim. Çdo luftë përfundon me një marrëveshje. Takimet do të vazhdojnë, por duhet te kemi pak më shumë kohë për vendime që janë në interes të Ukrainës.

“Kemi dëgjuar për vite me radhë për dyert e hapura, por kemi dëgjuar edhe që nuk mund të hyjmë në ato dyer”, tha Zelensky, duke shtuar se: “Kjo është e vërteta dhe ne duhet ta pranojmë ashtu siç është.” NATO nuk pranon vende me konflikte territoriale të pazgjidhura. Zelenskyy e ka përsëritur vazhdimisht këto kohë se e kupton se NATO nuk do t’i ofrojë anëtarësimin Ukrainës dhe po konsideronte mundësinë e statusit neutral për vendin e tij.

Turqia po vazhdon dhe ofensivën e saj diplomatike, e dërgoi në Moskë ministrin e jashtëm Cavusoglu, në mesin e këmbënguljes së Ankarasë për një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Top Channel