Rreth 40 punonjës Call Canter-ash kalojnë natën në komisariat, hetime për mashtrimet me shtetas të huaj

16/03/2022 23:43

Hetimet për mashtrimet që janë identifikuar në disa Call Center-a të kryeqytetit vazhdojnë edhe këtë mbrëmje.

Burime për gazetaren Anila Hoxha bëjnë me dije se në polici janë thirrur rreth 40 punonjës.

Nuk dihet konkretisht motivi apo numri i të arrestuarve.

Këtë të mërkurë, administratorët e nëntë Call Center-ave që dyshohet se mashtronin shtetas të huaj janë vënë nën hetim.

Për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, janë proceduar:

52-vjeçari me iniciale A. R., 27-vjeçari me iniciale A. D., 26-vjeçari me iniciale S. D., 28-vjeçari me iniciale F. K., 29-vjeçari me iniciale B. K., 26-vjeçari me iniciale K. O., 34-vjeçari me iniciale I. S., 54-vjeçari me iniciale O. M., dhe 26-vjeçari me iniciale K. T.

Duke shfrytëzuar punën e tyre si administratorë dhe menaxherë në disa call center-a në qytetin e Tiranës, këta persona dyshohet se mashtronin shtetasit e huaj, kryesisht nga vendet e BE-së, që të investonin në bursë.

Shqipëria është kthyer në vendin ideal për të hapur kompani, të cilat, nëpërmjet platformave të rreme, operatorët apo të ashtuquajturit agjentë financiarë bindin qytetarë të investojnë mijëra euro duke i premtuar fitime marramendëse. Ata prezantohen si këshillues financiarë, të cilët do t’i shumëfishojnë paratë e tyre në bursa dhe një ditë platforma mbyllet dhe zhduket bashkë me paratë.

Pre e mashtrimit të Call Center-ave kanë rënë mbi 1 mijë shtetas të huaj, ku shuma e vjedhur ndaj tyre shkon në miliona euro, pasi vetëm një personi mund t’i jetë vjedhur mbi 500 mijë euro. Kjo ka detyruar Prokurorinë shqiptare të nisë hetimet me kërkesë të Hollandës dhe Gjermanisë.

Top Channel