Një italiane u shoqërua nga policia e Vlorës për vjedhje në një dyqan bizhuterish.

46-vjeçarja Emanuela Massaro nga Brindisi shfaqet në pamjet e marra nga kamerat e sigurisë në dyqanin në lagjen “Pavarësia 3”. Bashkë me shoqet hutojnë shitësen për t’i vjedhur një byzylyk me diamantë me vlerë prej 26.500 lekë, të cilin 46-vjeçarja e merr e fut fshehtas në xhep.

Shitësja e dyqanit tregon momentet kur tre italianet i hynë në dyqan dhe si e kuptoi se mungonte bizhuteria.

Shkon vajza me byzylykun në dore me të tjerat dhe më pyesin, flisnin italisht me njëra-tjetrën. Ndërkohë që u mora me vajzat e tjera, ajo e mori byzylykun. Kur po i sistemoja e kuptova që më kishin marrë një byzylyk me gurë diamanti”, thotë shitësja e dyqanit, Jonida Xhaferraj.

Italianja tani duhet të qëndrojë në Vlorë sepse po hetohet në gjendje të lirë dhe pasaporta nuk i kthehet  deri në përfundim të hetimeve. Ajo u identifikua kur pronarët e dyqanit kërkuan ndihmën e qytetarëve dhe që të trija u ndaluan në portin e Vlorës, në përpjekje për t’u larguar pas disa ditë qëndrimi si turiste në Shqipëri.

Por byzylyku i vjedhur nuk  u gjet dhe hetimet do të tregojnë se ku përfundoi bizhuteria që po merrnin me vete nga Shqipëria.

Top Channel