Kameramani i Fox News, Pierre Zakrzewski, u vra së bashku me një kolege ukrainase, Oleksandra Kuvshynova, teksa raportonin në periferi të Kievit mbi situatën në kryeqytetin ukrainas.
Ata po udhëtonin në një makinë me gazetarin e stacionit të njohur televiziv, Benjamin Hall, kur drejt mjetit të tyre u hap zjarr. Hall, një korrespondent i Departamentit të Shtetit, është shtruar në spital, por ende nuk ka informacione mbi gjendjen e tij.
Zakrzewski, 55 vjeç, shtetas irlandez por që jetonte në Londër, kishte punuar në Ukrainë që prej muajit shkurt. Shefja ekzekutive e Fox News Media, Suzanne Scott tha se Zakrzeëski kishte mbuluar “pothuajse çdo histori ndërkombëtare për këtë kanal televiziv duke përfshirë konfliktet në Irak, Siri e Afganistan, e madje kishte ndihmuar dhe në evakuimin këtë verë të afganëve që kishin punuar për këtë rrjet dhe familjeve të tyre. Për këtë gjë, Fox i kishte dhënë në muajin dhjetor cmimin “Hero i pashpallur”.
“Ishte një njeri thellësisht i përkushtuar për të treguar të vërtetën; guximi, profesionalizmi dhe etika e tij e punës njiheshin mes gazetarëve në çdo media. Ishte jashtëzakonisht popullor – të gjithë në industrinë e medias e njihnin dhe e respektonin Pierre,” tha Scott. Moderatori i Fox News, Bill Hemmer e përshkroi Zakrzeëski “si një legjendë” në punën e tij, ndërsa kolegu i vet John Roberts tha se ai ishte një “thesar i vërtetë” për rrjetin televiziv.
Kuvshynova gjithashtu përshkruhet si një gazetare e re por mjaft e talentuar, e cila kishte bërë një punë të shkëlqyer në terren këto javët e fundit. Në vetëm tre javë pushtim, tre reporterë të huaj janë vrarë në Ukrainë: të djelën u qëllua për vdekje edhe amerikani Brent Renaud teksa raportonte jashtë Kievit. Shefja për te drejtat e njeriut në parlamentin ukrainas, Lyudmyla Denisova jep alarmin, e thotë se 35 gazetarë që kanë mbuluar konfliktin kanë rënë pre e dhunës së forcave ruse, përfshirë tre të huaj që humbën jetën, teksa theksoi nevojën që të ketë më shumë siguri për punonjësit e media.
Nga sulmi mbi kullën televizive në Kiev vdiq gazetari ukrainas Evgeny Sakun dhe Viktor Dudar, një tjetër reporter vendas, u vra gjatë luftimeve në Mykolaiv.
Top Channel