Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Rusinë të ndalojë menjëherë pushtimin e Ukrainës

16/03/2022 18:50

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka urdhëruar Moskën të ndalojë menjëherë pushtimin e Ukrainës.

Gjatë një seance dëgjimore të mërkurën, gjykata vendosi se nuk kishte prova për të mbështetur pretendimet ruse se Ukraina po kryente genocid në rajonet e Luhansk dhe Donetsk, ku Moska ka justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë.

“Federata Ruse do të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake të nisura më 24 shkurt 2022, që kanë si qëllim dhe objektiv të deklaruar parandalimin dhe ndëshkimin e një genocidi të pretenduar në Luhansk dhe Donetskoblasts të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Gjykata gjithashtu bëri thirrje që forcat e tjera të mbështetura ose të kontrolluara nga Moska të ndërpresin operacionet e tyre ushtarake dhe që Rusia të përmbahet nga përkeqësimi ose zgjerimi i mosmarrëveshjes.

Ukraina ngriti një mosmarrëveshje më 26 shkurt kundër Rusisë në bazë të Konventës së vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit. Ajo i kërkoi GJND-së të diskutonte mbi pretendimet ruse se Ukraina po kryente genocid në Donbas.

Seanca u zhvillua në Pallatin e Paqes në Hagë, ku kryetarja e trupit gjykues Joan E. Donoghue lexoi urdhrin e Gjykatës. Vendimi paraprak u konfirmua me 13-2 vota. Një gjykatës rus dhe një kinez ishin të dy që votuan kundër vendimit.

“Gjykata është shumë e vetëdijshme për shtrirjen e tragjedisë njerëzore që po ndodh në Ukrainë”,  tha Donoghue.

“Gjykata është thellësisht e shqetësuar për përdorimin e forcës nga Federata Ruse në Ukrainë, e cila ngre çështje shumë serioze të së drejtës ndërkombëtare.”

Vendimet e GJND-së konsiderohen të detyrueshme, megjithëse gjykatës i mungon një mekanizëm përmbarues. Kujtojmë se Rusia bojkotoi një seancë të mëparshme të GJND-së më 7 mars.

Përmbledhja e Urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA