Fiks Fare/ “Në vend të babait, varrosëm dikë tjetër”, Denoncimi i dy motrave: Trupin e ngatërruan në Spitalin e Janinës

16/03/2022 20:35

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një skandal që ka ndodhur në Spitalin Universitar të Janinës, Greqi, ku dy motra dyshojnë se trupi i babait të tyre që ndërroi jetë nga Covidi është ngatërruar.

Luiza dhe Mirela Apostoli treguan për gazetarët e emisionit investigativ se babai i tyre u shtrua në Spitalin e Janinës në dhjetor të vitit 2020 nga COVID-i. Në datën 13 janar 2021, ai ndërroi jetë, ndërsa sipas protokollit familja nuk e hapi arkivolin që doli nga ky spital. Ai u varros në Sarandë. Në fund të vitit 2021, Spitali i Janinës telefonon familjarët dhe i pyet “si u bë babai i tyre?”.

Të habitura, familjarët kërkojnë më shumë informacion, ndërsa telefonojnë sërish spitalin për të marrë më shumë shpjegime. Në telefonatën e dytë, spitali u thotë se është bërë një gabim, pasi me atë emër ishin dy pacientë.

Familjarët kërkojnë për emrin e pacientit të dytë por nuk e gjejnë, pasi ai emër nuk ekzistonte në atë vend që u thanë në spital. Dy motrat dyshojnë se Spitali i Janinës ka ngatërruar trupat e pajetë, teksa në varrin e babait të tyre mund të jetë dikush tjetër.

Familjarët telefonojnë Spitalin e Janinës, duke i kërkuar informacion. Në telefonatën e parë, punonjësit e Spitalit u thonë se u bë një ngatërresë dhe se kanë parë në regjistrat e spitalit dhe rezultoi se babai i tyre kishte ndërruar jetë. “Besoj se atë e ka thënë dikush nga kolegët.

Unë thjesht i thashë se ka ndodhur një gabim. Nga kolegët ishte karakterizuar, se babai juaj … në bazë jo në sistemin e spitalit dhe në listën që kisha unë nuk dukej… E kuptoni?! Unë nuk e di me kë keni folur ju me personin e dytë, unë personalisht nuk kam thënë një gjë të tillë. Sepse ju më pyetët sot në mëngjes. Unë nuk e kam thënë një gjë të tillë. Unë ju thashë se në listën që mbanin kolegët, nuk është nga sistemi i spitalit. Si t’jua them, është bërë një gabim njerëzor!

Qëllimi i telefonatës ishte për një mbështetje që mos të thonë që nuk e morëm atë të sëmurë. Nuk e kishte shënuar kolegu që mos e merrni këtë të sëmurë, që s’kishte mbijetuar. Unë mora listën që më dhanë kolegët (jo të sistemit të spitalit!). Bëhet një verifikim, këto të dhëna kalojnë në sistemin e spitalit” i tha doktoresha.

Doktoresha e Spitalit Universitar të Janinës i tha se është bërë një gabim në letra. Denoncuesja telefonon sërish spitalin, ku kërkon një informacion nga zyra e protokollit, nëse ky gabim është rregulluar apo jo. “Mos ndoshta në 17-të (dhjetor 2020) ka dalë nga spitali?” e pyet zyra e protokollit denoncuesen. Pra, ndryshe nga doktoresha, punonjësja e protokollit në Spitalin e Janinës, nuk ka informacione të sakta se kur doli nga ky spital pacienti. Madje, s’ka asnjë informacion nëse doli gjallë apo i vdekur. Dhe, ky konfuzion nga spitali, ka sjellë dyshime të mëdha te familjarët, se trupi i të afërmit të tyre mund të jetë ngatërruar.

Pas kësaj situate në Spitalin e Janinës, familja vjen në Shqipëri dhe kërkon në Prokurorinë e Sarandës zhvarrimin e babait të tyre për t’i bërë analizën e ADN-së. Bëjnë kallëzim në prokurori, teksa çështja hetohet nga prokurori Ilir Hoxha. Pas disa muajsh hetime, prokurori pushon hetimet, teksa arsyeton se “familjarët kanë paraqitur në Gjendjen Civile një dokument nga Spitali i Janinës” që i ndjeri kishte vdekur nga Covidi. Për këtë arsye, prokurori nuk pranoi zhvarrimin.

Sipas dokumenteve që disponon Fiks Fare, në datën 16 shkurt 2022, Prokuroria e Sarandës i ka dërguar familjes Apostoli vendimin për mosfillimin e procedimit penal. Në dokumentin prej vetëm 2 faqesh, prokurori Ilir Hoxha shkruan se prej datës 11 dhjetor 2020, z.Kristo Apostoli, kish qenë i shtruar pranë Njësisë së Terapisë Intensive Covid pranë Spitalit të Përgjithshëm Universitar të Janinës Greqi. Pasi shtetasi ka ndërruar jetë, trupi i tij “në arkivol të mbyllur” është transportuar në Shqipëri, ku nga familjarët është varrosur në fshatin Pezë. Gjatë këtij procesit, familjarët e të ndjerit nuk e kanë hapur arkivolin, rrethanë për të cilin bashkëshortja e të ndjerit kallëzon se “e kishim porosi nga shteti grek”.

Prokurori shkruan se familjarët kanë dërguar një dokument të Spitalit të Janinës në Gjendjen Civile në Mesopotam, Finiq, ku vërtetohej se “z.Kristo Apostoli kishte vdekur”. Më tej shkruan se, familjarët kanë dyshime në lidhje me vdekjen dhe kërkojnë ndihmë për zbardhjen e ngjarjes pasi nuk e dinë çfarë ka brenda arkivolit. Madje, ata kërkuan edhe zhvarrosjen! Prokurori ka arsyetuar se dokumentet e paraqitura nga familjarët në Gjendjen Civile janë të pakontestueshme, ku faktohet se i ndjeri ka vdekur nga COVID 19. Telefonatat e Spitalit të Janinës, për prokurorin, nuk janë të mjaftueshme për të identifikuar elementë të ndonjë figure të veprës penale.

“Kur e takuam prokurorin pa u mbyllur hetimet, na tha se “ikni e hapni vetë varrin”. Tani ndryshoi mendim dhe s’na lejoi. Ne dyshojmë se në vend të babait tonë mund të jetë varrosur dikush tjetër, prandaj kërkuam vetëm zhvarrimin” përfundojnë motrat, të cilat kanë vetëm një kërkesë për drejtësinë shqiptare që t’i lejojnë që të bëjnë me shpenzimet e tyre analizën e ADN-së.

Denoncuesja telefonon Spitalin e Janinës. Ajo kërkon të bisedojë me doktoreshën, e cila është marrë me rastin e babait të saj.

Punonjësi i Spitalit të Janinës – Mirëdita!

Denoncuesja – Doja te flisa me zonjën (doktoreshën) Kristaqi.

Punonjësi i Spitalit të Janinës – Kush e kërkon?

Denonecuesja – Mirela Apostoli.

E lidh në telefon me doktoreshën…

Doktoresha – Përshëndetje.

Denoncuesja – për z.Kristo Apostoli kemi folur.

Doktoresha – Po, kur kemi folur?

Denoncuesja – Në nëntor, tetor na keni marrë në telefon!

Doktoresha – Për çfarë teme?

Denoncuesja – Kishit marrë në telefon motrën time.

Doktoresha – Po, po, po.

Denoncuesja – Ju kishte marrë xhaxhai im në telefon, në spital, dhe i kishit thënë se ishin dy Kristo Apostoli në atë kohë (të shtruar në Spitalin e Janinës).

Doktoresha – Besoj se atë e ka thënë dikush nga kolegët. Unë thjesht i thashë se ka ndodhur një gabim. Nga kolegët ishte karakterizuar, se babai juaj … në bazë jo në sistemin e spitalit dhe në listën që kisha unë nuk dukej… E kuptoni?!

Denoncuesja – Po.

Doktoresha – Nuk kishte mbijetuar! Ndoshta mund të ketë qenë dikush tjetër, po unë s’kam qenë në atë kohë këtu.

Denoncuesja – Dhe folët me xhaxhanë se donit të flisnit me z.Kristo Apostoli.

Doktoresha – Po, po.

Denoncuesja – Dhe të dinit si ishte shëndeti i tij. Si ka mundësi që një spital, se atje që punoni të gjithë, si mund të thoni që në atë kohë që janë dy Kristo Apostoli, njëri është nga Korintho dhe një ishte vëllai i tij. Njëri doli i gjallë, ndërkohë unë e vërtetova me avokat se në Korintho nuk ka person me emër Kristo Apostoli

Doktoresha – Unë nuk e di me kë keni folur ju me personin e dytë, unë personalisht nuk kam thënë një gjë të tillë. Sepse ju më pyetët sot në mëngjes. Unë nuk e kam thënë një gjë të tillë. Unë ju thashë se në listën që mbanin kolegët, nuk është nga sistemi i spitalit. Si t’jua them, është bërë një gabim njerëzor! Qëllimi i telefonatës ishte për një mbështetje që mos të thonë që nuk e morëm atë të sëmurë. Nuk e kishte shënuar kolegu që mos e merrni këtë të sëmurë, që s’kishte mbijetuar. Unë mora listën që më dhanë kolegët (jo të sistemit të spitalit!). Bëhet një verifikim, këto të dhëna kalojnë në sistemin e spitalit.

Denoncuesja – Pra ju thoni se gabimi ishte në letër, po të mbetet 10 muaj letra aty, nëse klikonit në një emër…?!

Doktoresha – Në çastin që ndodhin këto ngjarjet ka shumë punë. Pastaj kthehesh kush e kapërceu, kush nuk e kapërceu. Dhe aty kur bëhet copy-paste mund të ketë ndodhur ndonjë gabim. Një gabim ne një zyrë ju solli gjithë këto shqetësime.

Siç edhe e dëgjuat, doktoresha e Spitalit Universitar të Janinës i tha se është bërë një gabim në letra.

***

Denoncuesja telefonon sërish spitalin, ku kërkon një informacion nga zyra e protokollit, nëse ky gabim është rregulluar apo jo.

Punonjësja e protokollit – Kristo Apostoli?!

Denoncuesja – Babai im quhet mbiemri Apostoli, emri Kristo i Janit (emri babait) dhe i Katerinës (emri i nënës).

Punonjësja e protokollit – Apostol Kristo?

Denoncuesja – Po.

Punonjësja e protokollit – I Janit dhe Katerinës?

Denoncuesja – I Katerinës, po saktësisht.

Punonjësja e protokollit – E gjetëm! Apostol Kristo…

Denoncuesja – Po.

Punonjësja e protokollit – Kur ka lindur babai i juaj?

Denoncuesja – 21.02.1964, 1965 diçka e tillë, s’e mbaj mend!

Punonjësja e protokollit – Apostol, Jani … babai juaj është shtruar në datën 11.12.2020.

Denoncuesja – Po.

Punonjësja e protokollit – Dhe doli 13 janar (2021)?

Denoncuesja – Jo.

Punonjësja e protokollit – Po kur ka dalë?

Denoncuesja – Në dhjetor doli! E mori xhaxhai…

Punonjësja e protokollit – Në dhjetor…

Denoncuesja – Po.

Punonjësja e protokollit – E mban mend afërsisht?

Denoncuesja – Ndonjë javë, pak ditë ka ndëjtur. 11 (dhjetor) u shtrua dhe rreth 20-ës, diçka e tillë…

Punonjësja e protokollit – Mos ndoshta në 17-të (dhjetor 2020)?

Denoncuesja – Po, po në 17-të.

Punonjësja e protokollit – Atëherë mirë, 17-të do të jetë.

Denoncuesja – 17.12 (2020).

Punonjësja e protokollit – Po, po.

Denoncuesja – Këtë mund të ma dërgoni në e-mail?

Punonjësja e protokollit – Po kjo duhet bërë nëpërmjet A.K.E.P (zyrës së shërbimeve shtetërore të Greqisë).

Denoncuesja – Në rregull.

Punonjësja e protokollit – T’ju pyes babai juaj ishte në reanimacion (i intubuar).

Denoncuesja – Nuk ka hyrë fare.

Punonjësja e protokollit – Në rregull, faleminderit. Atëherë do të ndiqet kjo procedurë.

Denoncuesja – Faleminderit, të jesh mirë.

Ndryshe nga doktoresha, punonjësja e protokollit në Spitalin e Janinës, nuk ka informacione të sakta se kur doli nga ky spital pacienti. Madje, s’ka asnjë informacion nëse doli gjallë apo i vdekur. Dhe, ky konfuzion nga spitali, ka sjellë dyshime të mëdha te familjarët, se trupi i të afërmit të tyre mund të jetë ngatërruar.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel