Në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nuk ka orar pritje për qytetarët, siç shkruhet në njoftimin e ngjitur në hyrje, pavarësisht se në dyert e këtij institucioni paraqiten çdo ditë qytetarë, për problematika nga më të ndryshmet për pronën e tyre.

Roja tek dera që u thotë qytetarëve të ulin zërin, se është kamera e televizionit që filmon.

“Tek dera na thonë: Ik shporruni. Kam ardhur këtu mbi 40 herë dhe nuk po zgjidh hall. Erdha në janar, më thanë paraqitu në mes të marsit. Kam ardhur dhe nuk më lënë të futem brenda. Kam 16 vjet që sorollatem për legalizimin e shtëpisë. Janë legalizuar të gjithë rreth e rrotull meje. Vetëm unë nuk legalizohem. Nuk ka asnjë projekt që kalon aty. Shqip fare, këtu çan po ke të njohur.  Jam 72 vjeç, jam me ilaçe zemre me vete. Kam ardhur me taksi deri në zyrat në Rinas, 32 mijë lekë pagova. Në gjithë këto vite që sorollatem në këto zyra, mund të kem harxhuar mbi 600 mijë lekë”, tha qytetari.

“Kam që në 2006 që kam nisur procesin e legalizimit dhe vërdallisem edhe sot e kësaj dite. Shtëpitë e tjera janë legalizuar, imja po bën 16 vjet që pret. Më thonë që nis letër në postë, se këtu nuk të lë kush të hysh në zyrë”, tha një qytetar tjetër.

Ndërsa filmonim na rezultoi se dera e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës edhe hapet ndonjëherë, siç është në rastin e deputetit Rrahman Rraja.

“Nuk më lënë të futem brenda, megjithëse më ka thirrur drejtori. Kanë ngjitur këtë lajmërimin këtu jashtë dhe nuk çan dot”, tha qytetari në pritje.

“I kam bërë gjithë letra gati. Nuk më kthen kush përgjigje. Kam ardhur 3 herë nga Durrësi. Kush m’i paguan këto shpenzime mua?”, u shpreh qytetari i revoltuar.

Top Channel