Foto ilustruese

Tre persona u arrestuan në kuadër të një operacioni policor të koduar “Universi”, pasi akuzohen si autorë të tre vjedhjeve në zonën Kamzës.

Në një njoftim për mediat, policia tha se në pranga ranë shtetasit I. Xh. (D)., 35 vjeç, S. D., 20 vjeç, F. D., 19 vjeç, të tre banues në Bathore, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim. Po ashtu, u shpall në kërkim shtetasi Q. H., 31 vjeç, banues në Paskuqan.

Mësohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ditëve të fundit, në vende të ndryshme, gjatë orëve të vona të natës, kryenin vjedhje banesash dhe biznesesh në zonën e Kamzës.

Policia thotë se hetimet zbuluan se këta shtetas janë autorë të tre rasteve të vjedhjeve të ndryshme dhe konkretisht:

Më datë 27.02.2022, në rrugën “Demokracia”, në Paskuqan, dyshohet se kanë vjedhur në biznesin në pronësi të shtetasit I. D.

Më datë 12.03.2022, në Bathore, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit Sh. B.

Gjithashtu, po më datë 12.03.2022, në rrugën “Shupenza” në Bathore, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit Sh. K.

Policia dyshon se këta mund të jenë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera dhe po punon për dokumentimin e tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

 

 

Top Channel