“Në orën 17′ para Kryeministrisë”/ Studentët thirrje studentëve që t’i bashkohen protestës qytetare për uljen e çmimeve

15/03/2022 11:51

Një grup studentësh të Universitetit të Tiranës këtë të martë i kanë bërë thirrje me megafon studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale t’i bashkohen protestës së qytetarëve në orën 17:00, para Kryeministrisë, për uljen e çmimit të karburantit dhe produkeve ushqimore.

Çmimet na prekin më së shumti neve dhe prekin familjet tona dhe reflektojnë akoma edhe më shumë në nivelin tonë të jetesës. Kështu që ju bëjmë thirrje të gjithëve që të flisni me njëri-tjetrin, të mobilizoheni dhe që në orën 17:00 t’i bashkoheni protestës së madhe qytetare”, dëgjohet nga thirrja e studentëve.

Pavarësisht thirrjes së një grupi të caktuar studentësh, mësimi në fakultetet e Tiranës nuk është bojkotuar, përveç disa klasave, ku disa studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale ju kanë bërë thirrje studentëve me megafon që të mblidhen në orën 16:00, për të marshuar më pas drejt protestës, me dëshirën për të rikthyer edhe njëherë tjetër protestat e 2018-ës.

Qytetarët e Tiranës u mblodhën për të gjashtën ditë radhazi përpara Kryeministrisë mesditën e 14 marsit.

Ndryshe nga herët e tjera, protestuesit kanë zbuluar disa kërkesa të reja për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

E para ka të bëjë me anulimin e taksës së qarkullimit mbi naftën, e dyta me pezullimin e përkohshëm të akcizës mbi karburantet dhe e treta konsiston në miratimin e një ligji për minimumin jetik.

Për këtë, ata kanë vendosur edhe një afat për plotësim.

Afati i vendosur do të jetë deri në fund të javës, më datë 18 mars.

Top Channel