Gjykata Kushtetuese publikon vendimin e arsyetuar për mosshkarkimin e Presidentit Meta

15/03/2022 16:28

Gjykata Kushtetuese ka publikuar të martën vendimin e arsyetuar për mosshkarkimin e Ilir Metës, si President i Republikës.

Meqë shkarkimi i presidentit bëhet vetëm për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe krim të rëndë, Gjykata vendosi se Meta nuk ka kryer asnjëren nga këto shkelje.

Sipas Kushtetueses shkelja e rëndë përmbledh vetëm aktet e rënda, në kuptimin e gjerë që ky koncept ka në teorinë dhe praktikën e së drejtës. Nga pikëpamja juridike, një akt cilësohet i rëndë kur cenon një normë, e cila ka për objekt mbrojtjen e marrëdhënieve juridike të rëndësishme. Në shtesë të këtij elementi, akti është i rëndë edhe në raport me pasojën që ka ardhur ose mund të vijë prej tij, së bashku me rrethanat konkrete të kryerjes, pamundësinë e riparimit të dëmit kushtetues të shkaktuar, në kuptimin që shkarkimi nga detyra mbetet e vetmja mundësi, si dhe me momentin subjektiv që lidhet me qëndrimin që mban Presidenti, në veçanti qëllimin që ai ka ndjekur”.

Ndërsa, në vendimin e zbardhur nga Kushtetuesja, shkruhet se në lidhje me thirrjet e presidentit për dhunë si, “ngrehuni dhe bjeruni, vdekje tradhtarëve, t`i mprehin sfurqet”, ose deklarimet se “struktura për mbrojtjen e votës është një e drejtë legjitime e opozitës, pasi shteti është i kapur nga krimi”, Gjykata arsyeton se nuk kishte pasoja që cenuan rendin apo sigurinë publike.

Gjykata, bazuar në analizën e kritereve të shkeljes së rëndë, nuk identifikon ndonjë normë kushtetuese të cenuar, pasi në lidhje me këto fakte Kuvendi nuk ka arritur të provojë ardhjen e pasojave në drejtim të cenimit të rendit dhe sigurisë publike. Edhe në këtë rast, Presidenti nuk ka ushtruar veprimtari vendimmarrëse, nuk ka marrë ose ushtruar kompetenca të institucioneve të tjera dhe nuk është provuar ndonjë qëllim i tij për ndërhyrje në rendin dhe sigurinë publike”.

Gjykata Kushtetuese, sqaron në vendimin e saj, se pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi, konstatoi në tërësi se nuk kishte pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.

Sipas organit, Legjislatura IX e Kuvendit, ka pasur legjitimitet substancial, në vlerësim të momentit të konstituimit të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese thekson se faktet e paraqitura nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

Kushtetuesja vëren në vendim se edhe faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Mes tyre, ajo rëndit edhe faktet që lidhen me pavarësinë e organeve publike apo për shkelje të rendit dhe sigurisë publike.

Të dyja këto të fundit, sipas gjykatës, nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Presidenti Ilir Meta

Meta do të jetë president i Shqipërisë deri në përfundim të mandatit të tij më 24 korrik 2022.

Më 16 shkurt, me një njoftim të orëve të vona, Gjykata Kushtetuese zbuloi vendimin e saj për të mos shkarkuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Kushtetuesja në këtë mënyrë shfuqizoi votimin e Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit.

Dokumenti i plotë

Top Channel