Në Korçë zjarret e Ditës së Verës që simbolizojnë përcjelljen e dimrit u ndezën për të dytën herë.
Banorë të shumtë të qytetit dolën në sheshpushimet para pallateve apo në hapësira të tjera para shtëpive për të kryer ritualin e përhershëm të ndezjes dhe kapërcimit të zjarrit që i paraprin festimeve të Ditës së Verës në çdo familje ku amvisat përgatisin edhe gatimet tradicionale.
Në Korçë Dita e Verës festohet një herë në një Mars dhe një herë në 14 mars.
Në qytetin e Kukësit dhe në fshatrat përreth tradicionalisht ndizen zjarre me dru të vjetër apo shkurre si paralajmërim për Ditën e Verës. Por ky ritual prej vitesh e ka humbur traditën, pasi për ndezjen e zjarreve nga fëmijët po përdoren goma makine. Dhjetëra goma u grumbulluan mbrëmjen e së dielës duke i hapur punë edhe shërbimit zjarrfikës që iu desh të fikte 10 vatra.
Djegia e gomave të makinave solli një ndotje masive të ambientit dhe rrezik serioz për objektin e një shkolle 9 vjeçare dhe një çerdhe të qytetit, pasi u ndezën në oborret e tyre.
Top Channel