Trajnues, ushtarakë vendas, por edhe vullnetarë të mbërritur nga jashtë kufijve për t`iu bashkuar brigadës ndërkombëtare të forcave ukrainase, të kërkuara nga presidenti Volodymir Zelensky që prej orëve të para të betejës.

Në qendrën ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë, të njohur ndryshe si poligoni Yavoriv, fliteshin disa gjuhë të huaja përpara se 30 raketa ruse të shkatërronin gjithçka. Një prej detyrave të bazës ishte t`i mësohej rekrutëve të rinj sesi të përdornin raketahedhëset kundër avionëve ruse. Një qendër stërvitore nga ku kalonin të rinjtë përpara se të niseshin drejt frontit në lindje apo drejt Kievit.

Fillimisht, zëdhënësi i ministrisë ukrainase të mbrojtjes, Markian Lubkivsky nuk e konfirmoi që të kishte dhe të huaj mes viktimave në poligonin e shenjestruar prej forcave të Moskës, por me kalimin e orëve u bë e qartë se aty nuk kishte pasur vetëm ukrainas. Në fakt, Yavoriv ishte kthyer ne pikën ku mblidheshin vullnetare nga e gjithë bota për të ndihmuar Ukrainën, nga SHBA, Europa e deri dhe Australia.

Sipas mediave holandeze, një numër i paspecifikuar vullnetarësh nga Holanda kanë mbetur të plagosur nga ky sulm. Këtë e konfirmoi për të përditshmen holandeze De Telegraaf, koordinatori i grupit të milicëve vullnetare, Gert Snitselaar. Gjithmonë sipas De Telegraaf, nga kjo qendër kishte kaluar edhe veterania e luftës së Kosovës, Joyce Koster. Moska thotë se ushtria e saj vrau 180 “mercenarë të huaj” në këtë sulm. Megjithatë, mendohet se kjo shifër është fryrë shumë nga rusët, pasi ukrainasit flasin për 35 viktima.

Top Channel