Pushtimi rus i Ukrainës, i cili po vazhdon prej më shumë se dy javësh, mund të ketë pasoja konkrete edhe në situatën komplekse të kishës së krishterë ortodokse në Ukrainë, të cilës i përkasin miliona njerëz dhe që aktualisht po kalon një situatë krize.
Që nga shekulli i XVII Kisha Ortodokse e Ukrainës udhëhiqej nga ajo ruse. Në fenë e krishterë ortodokse, ndryshe nga ajo katolike, ka rreth pesëmbëdhjetë udhëheqës fetarë me të njëjtin autoritet. Ata quhen patriarkë dhe secili kontrollon një kishë ortodokse të ndryshme, në marrëdhënie me të tjerët, si një lloj federate.
I vetmi patriark që qëndron pak më lart se të tjerët, por vetëm për arsye historike, është patriarku i Kostandinopojës, emri i vjetër i Stambollit, i cili për momentin quhet Bartolomeu I.
Kisha Ortodokse Ruse, ajo e Patriarkanës së Moskës që drejtohet nga Kiril I, ka numrin më të madh të besimtarëve.
Me pushtimin e Krimesë dhe Donbasit, një pjesë e rëndësishme e Kishës Ortodokse të Ukrainës, zgjodhi të shkëputej nga autoriteti i Patriarkut të Moskës, duke i kërkuar Bartolomeut I që të bëhej autonome. Kështu lindën dy kisha në Ukrainë, e para Kisha Ortodokse e Ukrainës e pavarur dhe Kisha Ortodokse e Ukrainës që i qëndroi besnike Patriarkut Kiril I i Moskës.
Për momentin, sipas një vlerësimi të cituar nga Christian Sience Monitor, rreth shtatë mijë famulli ukrainase i përkasin të parës, ndërsa 12 mijë kanë zgjedhur t’i qëndrojnë besnike asaj të Moskës.
Pushtimi i fundit i Rusisë mund të sjellë ndryshime të reja.
“Është shumë e mundshme që disa famulli të Kishës Ortodokse të Ukrainës, të zemëruara nga pushtimi rus mund të shkëputen nga Moska dhe t’i bashkohen Kishës Ortodokse të Ukrainës”, shkruajti Jonathan L.Zecher, një studiues i krishtërimit ortodoks në Universitetin Katolik Australian, në The Conversation.
Patriarkana e Moskës prej vitesh ka qenë e lidhur me qeverinë autoritare të Vladimir Putinit dhe në fakt ka mbështetur vendimin për pushtimin e Ukrainës. Patriarku Kiril I dhe Putin ndajnë një botëkuptim të caktuar, duke përfshirë edhe përbuzjen e vlerave demokratike, si dhe nostalgjinë për një marrëdhënie më të ngushtë mes shoqërisë dhe krishtërimit dhe në shumë raste kanë mbështetur njëri-tjetrin gjatë viteve.
Putini e ka mbushur kishën ortodokse me favore, duke e përjashtuar nga taksat, e deri te hapësira në televizionet publike dhe private. Në këmbim, kreu i Kremlinit fitoi legjitimitet personal dhe mbështetje politike.
Në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas pushtimit, Kiril I kishte folur për faktin se disa “forca të së keqes” po kërcënonin Rusinë, duke iu përmbajtur propagandës shtetërore të iniciuar nga Putini, dhe në ditët në vijim ai kishte pohuar pa asnjë provë se në Donbass disa kisha ishin detyruar të merrnin pjesë në protesta në favor të komunitetit LGBT +.
Megjithatë ekzistojnë disa shenja që disa famulli të Kishës Ortodokse të Ukrainës, domethënë ajo që i ka qëndruar besnike Moskës deri më tani, kanë filluar ta shohin me shqetësim lidhjen e ngushtë mes Patriarkanës së Kirilit I dhe qeverisë së Putin.
Këshilli i peshkopëve të Kishës Ortodokse të Ukrainës foli në mënyrë të qartë për një “pushtim” nga Rusia dhe i kërkoi Kirilit I, të shfrytëzonte miqësinë me të për ta bindur Putinin që të mos e pushtonte Ukrainën. Por historia tregoi të kundërtën…
Top Channel