Nga Kharkiv i Ukrainës, fati e solli familjen Kriachko në një vend të panjohur deri dje për ta, në Laknas, pranë Tiranës.
Gjithçka mundën të merrnin me vete ishin vetëm rrobat e trupit.
“Ne jemi gjallë. Nuk kemi humbur jetët tona. Asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Do duhet të nisim çdo gjë nga fillimi”, tha Helena.
Me frikën dhe pasigurinë Helena me dy fëmijët e saj udhëtuan 10 ditë për t’i shpëtuar tmerrit të luftës.
Ata kanë tre ditë që kanë mbërritur në Shqipëri, pasi kaluan një makth me tren përreth Ukrainës drejt Sllovakisë, më pas në Vjenë dhe nga aty fluturuan drejt vendit tonë.
“Jam më se e sigurt që nëse nuk do të ishin fëmijët, unë nuk do të largohesha. Do luftoja për vendin tim. Ukrainasit janë më të fortë se kurrë. Ne do të mundemi të ringrejmë gjithçka ata kanë shkatërruar”, tha ajo.
39-vjeçarja është me origjinë ruse dhe mjaft e lidhur me ta që u kthyen në agresorët e shtëpisë së saj, e Helena ende nuk mund ta besojë këtë.
“Babai im ka lindur në Rusi dhe ishte student në Ukrainë kur njohu mamanë time e më pas qëndruan aty. Ne kemi marrëdhënie të ngushtë me rusët. Çdo verë unë kaloja pushimet atje te gjyshërit të cilët nuk jetojnë më. Kisha shumë miq në Rusi, jemi rritur bashkë. Por tani ata nuk reagojnë. Përpiqem të kontaktoj me ta në rrjete sociale, I pyes “çfarë mendoni?” Dua të di çfarë dreqin po bëjnë? Dhe nuk marr asnjë përgjigje. Nuk e kuptoj. Kjo është e dhimbshme!”, tha Helena.
Për fat të keq jetesa në Kharkiv nuk ishte e sigurt. Shtëpia e familjes Kriachko ishte vetëm 30 km larg kufirit me Rusinë. Shenjat që ka lënë lufta te dy fëmijët janë të dukshme nga heshtja e Marias 9-vjeçare, Por sytë e Sergios 16-vjeçar janë ende nga atdheu.
“Jam shumë i mërzitur. Mu ndërprenë ëndrrat në mes. Situata në Ukrainë është e tmerrshme. Ata po sulmojnë shtëpitë tona, shkollat, spitalet. Nuk më besohet. Ngjan si një film horror. Gjyshërit e mi nuk duan të largohen, duan të japin jetën për vendin e tyre. Dhe e kuptoj këtë edhe pse më mungojnë shumë, edhe shokët. Gjithashtu dhe unë nuk do doja të largohesha e të jepja ndihmën time, por dëgjova mamin. Tani jemi të sigurt”, tha Sergio.
Flori hapi dyert e fermës së tij për një familje që nuk e njihte, por që ishin miq të shokut të tij.
“Nuk jam vetëm unë apo familja ime. Kështu janë shqiptarët. Siç kanë ndihmuar kosovarët, kemi bërë për çdo vend tjetër. Mikpritja virtyti ynë”, tha Flori Uka.
Shqiptarët kanë mikpritur ukrainasit e parë, të cilët janë organizuar në mënyrë individuale përmes të njohurve të tyre për ardhur këtu. Jeta e tyre ka ndryshuar, por nuk mund të thurin plane.
Top Channel