Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj në një lidhje live në “Open” theksoi se Paketa e Rezistencës Sociale e miratuar nga qeveria është për të gjithë popullatën.

Ajo kundërshtoi protestuesit, duke theksuar se kjo do të vijë në ndihmë të qytetarëve.

“Paketa është për të gjithë popullatën, protestuesit kanë të drejtë të protestojnë të shprehin mendimet e tyre, jemi në prag të një krize ekonomike, ku do të përballet e gjithë bota. Nuk mund të krahasohen politikat e rajonit me tonat se jemi të ndryshëm. Ne kemi bërë një analizë të thelluar të masave, nuk janë as me mocion as me këmbëngulje, kemi bërë analizën e të gjithë shportës së konsumit. Janë gjithashtu 210 mijë shqiptarë që do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale“, tha ministrja.

Ministrja tha se nafta është produkti që zë më pak vend në shportën e konsumit.

“Kemi bërë analizën e të gjithë shportës së konsumit, nafta zë 2%. flasim për familjet mesatare, ndërsa ushqimet bazë zënë më shumë se 20%. Prandaj ne vendosëm që të ndihmojmë atë kategori që nuk përballon dot rritjen e çmimit. Nga ana tjetër kemi afruar vendimin për të rritur pagën minimale që janë 2 mijë lekë çdo muaj për çdo qytetar që paguhet me pagë minimale“, shtoi ajo.

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur prej gjashtë ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit duke protestuar kundër rritjes së çmimit të ushqimeve dhe hidrokarbureve.

Paketa e Rezistencës Sociale e miratuar nga qeveria nuk është masa e duhur sipas protestuesve, pasi është anashkaluar pjesa tjetër e popullsisë.

Çdo ditë jave ata do të takohen në orën 17:00 përballë Kryeministrisë, ndërsa e shtuna do të jetë marshim kombëtar.

Kjo revoltë e qytetarëve erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimit të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve si efekt i luftës në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA