Izolohet më shumë Rusia! BE i heq statusin e vendit favorit në tregti

14/03/2022 19:40

Bashkimi Evropian ka rënë dakord që ti heqë statusin e vendit favorit në të bërit tregti Rusisë si pjesë e paketës së re të sanksioneve që Perëndimi dhe SHBA po i vendosin.

Rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë parashikojnë se çdo anëtar i vendos njëri-tjetrit tarifa të ulëta, heq barrierat tregtare dhe ndalon trajtimin diskriminues.

Blloku tanimë me këtë vendim është në gjendje të vendosë tarifa më të larta për mallrat ruse që drejtohen në tregun e vetëm të BE-së.

Federata Ruse u bë anëtare e OBT-së në vitin 2012 pas 18 vitesh negociatash. Sanksionet u miratuan nga ambasadorët e BE-së të hënën në mbrëmje dhe do të hyjnë në fuqi pas publikimit të tyre në gazetën zyrtare të BE-së.

Heqjen e statusit të vendit favorit në të berit tregti e kishte paralajmëruar më herët edhe presidenti Joe Biden , i cili njoftoi edhe disa ndalime të mallrave ruse.

Presidenti amerikan tha se sanksionet do të ishin edhe më të mëdha nëse Ukraina sulmohet me armë kimike, një mundësi për të cilën kanë paralajmëruar ditët e fundit zyrtarët e qeverisë amerikane.

Top Channel