Falsifikuan biletat e autobusëve në Tiranë/ Zbardhet dëshmia e fatorinos së arrestuar: Pronari ndonjëherë më…

14/03/2022 13:06

Operacioni policor i koduar “Bileta” çoi në pranga një 25-vjeçar dhe shpalli në kërkim dy persona të tjerë, për falsifikim të biletave të transportit urban në kryeqytet.

Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha thanë se organizatorë të kësaj skeme falsifikimi janë dy vëllezërit Festim dhe Veiz Ibraliu, pronarë të një linje të transportit urban.

Ky fakt është mësuar falë dëshmisë së 25-vjeçarit dhënë në polici, pas arrestimit të tij.

Mësohet se fatorino Amarildo Çollaku, ka treguar para policisë, se blloqet e biletave të falsifikuara ia ka dhënë pronari Festim Ibraliu.

Mi dha tek lokali i tij “Narkos””, tregoi 25-vjeçari para policisë.

Sipas tij, pronari i kompanisë i ka dhënë dy palë fatura, një palë të rregullta dhe një palë të parregullta.

Pronari ndonjëherë më thotë të përdorim biletat e licensuara, ndonjëherë të palicensuara, kur e sheh ai të arsyeshme. Në shumicën e rasteve përdorim biletat e palicensuara, kur ndonjë qytetar na e kërkon të licensuar ia japim. Këto bileta janë të vulosura nga pronari”, tha ai.

Disa ditë më parë, Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Bileta”, duke sekuestruar bileta transporti të dyshuara të falsifikuara, arrestuar një person dhe shpallur në kërkim dy të tjerë.

Në pranga ra, 25-vjeçari Amarildo Çollaku, 25 vjeç, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit Veiz dhe Festim Ibraliu, 39 dhe 44 vjeç, banues në Tiranë.

Mësohet se nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, falsifikonin dhe hidhnin në treg bileta të linjës së transportit publik Tiranë-Krrabë, të cilat nuk prodhoheshin në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë.

Gjatë kontrollit fizik, fatorinos Amarildo Çollaku, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e konsiderueshme biletash të dyshuara të falsifikuara.

 

Top Channel