Ish kryeministri Sali Berisha ndodhet në Elbasan për të marrë pjesë në Panairin e Ditës së Verës. Në fjalën e tij para mediave, u pyet nëse do të sakrifikohet vetëm për ideal të PD duke qenë se Basha ka pranuar të bëjë një hap pas, por Berisha duket se nuk është me këtë mendim.
Berisha thotë se po stisin një përballje, por gjithçka do të bëjnë është tu lënë bllofin në dorë. Ndër të tjera shton se festa e Ditës së Verës është festa e shndërrimeve të mëdha, e çeljes së gjithçkaje të mirë.
Berisha: Uroj qytetarët e Elbasanit që kanë meritën e madhe se mbajtën gjallë këtë festë të mrekullueshme dhe sot Elbasani quhet kryeqyteti i festës, kryeqyteti i vendit. Uroj mbarë shqiptarët, festa e Ditës së Verës është festa e shndërrimeve të mëdha, e çeljes së gjithçkaje të mirë. Në këtë kontekst, uroj që kjo ditë të sjellë për shqiptarët ndërrimin e madh që presin me padurim. Një urim të përzemërt kam për ata qindra mijëra qytetarë që kanë mbushur rrugët dhe sheshet e qyteteve të vendit për të protestuar kundër një politike cinike, të pashpirt, e cila përdor hijet e luftës si pretekst për të justifikuar rritjen dramatike, absolutisht të pajustifikuar të çmimeve të produkteve më jetike të qytetarëve shqiptarë.
Kjo do të jetë pranverë e përpjekjeve të mëdha të demokracisë dhe absolutisht mesazhi më i shkëlqyer është bashkimi i demokratëve rreth votës së lirë dhe idealëve të lirisë.
Pyetje: Ka nga ata që kërkojnë largimin e Berishës, a do të sakrifikoheshit vetëm për ideal të PD?
Berisha: Nuk po mbroj asgjë përveç votës së lirë. Ka një përpjekje për të stisur një përballje midis votës së lirë dhe bllofit, por atyre që e bëjnë këtë, do tu lëmë bllofin në dorë.
Top Channel