“Urgjent ndaloni luftimet”, Macron e Scholz telefonojnë Putin!

12/03/2022 17:06

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez,  Emmanuel Macron, telefonuan shefin e Kremlinit Vladimir Putin duke i kërkuar hapur vendosjen e menjëhershme të armëpushimit në Ukrainë.

Zëdhënësi i kancelarit gjerman,  Steffen Hebestreit pohoi se po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme diplomatike për t`i dhënë fund luftës. në 75 minuta telefonatë, dy liderët kanë insistuar që të flasë logjika, e cila të cojë drejt një zgjidhjeje diplomatike të kësaj krize.

Gjatë bisedës telefonike, Putin ka informuar Macronin dhe Scholzin me versionin e tij të situatës dhe raportet mes Rusisë dhe Ukrainës. Thirrjeve për fundin e luftimeve iu bashkua edhe Papa Francesku.

“Ndaluni në emer të Zotit, jo luftë. Mendoni për fëmijët, mendoni për ata të cilëve poi u hiqni shpresën e një jete me dinjitet: fëmijë të vrarë, të plagosur, jetime”, thuhej ne një mesazh të kreut të Kishës Katolike në Twitter.

Zërave kundër luftës i është bashkuar dhe biznesmeni më i pasur rus Vladimir Potanin. Ai i kërkoi autoriteteve ruse  të mos lejojnë që shteti i tyre të kthehet në kohën e Revolucionit të Tetorit të vitit 1917. Potanin, pronar i kompanisë Norilsk Nickel (NILSY), i bëri këto komente pasi u bë e ditur se ekziston mundësia që Rusia të konfiskojë prona të kompanive që janë tërhequr nga ky vend, si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.

“Mos na ktheni 100 vjet pas”, është shprehur ai, duke theksuar se pasojat e një lëvizje të tillë do të kërcënonin besimin e investitorëve nga e gjithë bota e kjo do të zgjaste me dekada të tëra.

Top Channel