Linda Rama mesazh gruas së presidentit ukrainas, Olana Zelenskyy: Ju, po i jepni botës së lirë një mesazh zgjimi nga amnezia historike

12/03/2022 15:11

Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama i ka dërguar një mesazh gruas së presidentit të Ukrainës, Olana Zelenskyy.

“Jemi me ju, deri në fund”, thekson Linda Rama, në mesazhin e saj.

Shumë e dashur Olena,Unë, familja ime dhe i gjithë populli shqiptar po e përjeton me dhimbje të madhe tragjedinë  e vendit dhe popullin tuaj. Shqiptarët mund ta kuptojnë mirë atë çka po ndodh aty. Ne e dimë se çfarë mbjell lufta, kemi hapur dyert për gjysmë milionë shqiptarë të Kosovës, që iknin nga shtëpitë si ukrainasit e sotëm. Ne e dimë edhe se çfarë prodhon diktatura, pasi jetuam diktaturën më të egër në Europë. Ne, sikundër ju, jemi komb qe e kemi refuzuar çdo përpjekje të huaj për të na tjetërsuar identitetin tonë.Ne sot e dimë që demokracia është përkatësi e popujve të lirë, ndërsa ju, ukrainasit, po ia rikujtoni botës së lirë se kjo përkatësi ka nje çmim, që mund të jetë i larte sa vetë jeta.  Populli juaj i ka dhënë shumë botës, në histori, kulturë dhe ekonomi”, shkruan Rama.

Ajo thekson se populli i Ukrainës sot po i jep mbarë botës së lirë një mesazh zgjimi për kujtesën e saj të kërcënuar nga amnezia historike, një mesazh kuptimi për vlerat universale të rrezikuara nga interesat gjeopolitike dhe një mesazh shpëtimi për të ardhmen e saj të marrë peng prej frikës, duke shtuar se ky është një shembull rezistence për të mos rënë në kurthet e së kaluarës, një thirrje për të jetuar me pulsin e kohës, me sfidat dhe ëndrrat e së ardhmes në botën që na bashkon.

Ju. heroikisht, po i jepni botës së lirë mundësinë të jetë e bashkuar dhe e vendosur, jo për ju, po për vetveten.Shumë e dashur mike e panjohur, Me dhimbjen e madhe që unë dhe çdo nënë shqiptare ndjen për jetët e humbura, për nënat me fëmijë që ndahen nga burrat e vajzat që ndahen prej të dashurve të tyre, lus Zotin që të të japë e t’ju japë forcën e madhe që ju duhet dhe uroj me gjithë zemër që triumfi i padiskutueshëm i lirisë së Ukrainës t’i kthejë sa më parë në shtëpinë e tyre ato miliona nena me fëmijë. Me një admirim të madh për qëndresën tende pranë burrit tënd, së bashku me fëmijët e tu, të siguroj se jemi me ju, deri në fund“, ka thënë ajo në mesazh.

Top Channel