Hoffenheimi ndal Bayernin, i shtohet “oreksi” Borussias

12/03/2022 21:06

Bayerni i Mynihut “refuzon” të mbyllë sa më herët çështjen e titullit në Bundesligës. Vetëm pak ditë pas kualifikimit me prepotencë në çerekfinale të Championsit, duke mposhtur 7-1 Salzburgun, kampionët në fuqi të Bundesligës barazuan 1-1 në fushën e Hoffenheimit.

Skuadra e drejtuar nga Nagelsmann u ndëshkua që në minutën e 32-të nga Baumgartner, por në minutat shtesë të fraksionit hapës barazoi i zakonshmi Robert Lewandowski, i shërbyer nga Joshua Kimich.

Pjesa e dytë nisi me një gol të sulmuesit polak të anuluar nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje, ndërsa në minutat në vazhdim, pavarësisht rasteve në të dyja portat, nuk pati ndryshim tjetër rezultati. Bayerni me këtë pikë të fituar shkon në kuotën e 60 pikëve, 10 më shumë se Borussia e Dortmundit, që ka edhe dy ndeshje më shumë për të zhvilluar. Pra, matematikisht, gara për titullin në Bundesligë mbetet e hapur.

Vazhdon serie negative e rezultateve për Herthan e Berlinit, që në këtë javë të 26-të të Bundesligës u mposht 2-0 në transfertë nga Borussia e Moenchengladbachut. Plea me 11-metërsh në pjesën e parë dhe Ginter në të 59-tën vulosën suksesin e vendësve, që shkojnë në kuotën e 30 pikëve, në vendin e 12-të, ndërsa berlinezët zbresin të parafundit, me golaverazh më të dobët se Shtutgarti.

Top Channel