Frenon evakuimi në Ukrainë/ Rusët bombardojnë edhe depot e ushqimeve

12/03/2022 12:52

Teksa ushtria ruse vazhdon ofensivën në Ukrainë, për civilët në zonat e luftimeve, largimi po bëhet gjithmonë e më i vështirë.

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Irina Vereshtshuk deklaroi, se sulmet e trupave ruse kundër qytetit Mariupol kanë penguar sërish të premten dërgimin në siguri të civilëve nga qyteti port juglindor.

Sipas të dhënave ukrainase aty kanë humbur jetën më shumë se 1500 civilë nga shpërthimi i luftimeve. Në rajonin e Kievit ushtarët rusë kanë penguar kalimin e autobusëve me civilë, ndërsa kanë bombarduar edhe një depo ushqimesh.

Sipas Vereshtshuk banorët kanë mundur të largohen përmes korridoreve humannitare në zonat veriperëndimore të Kievit, nga Butsha, Hostomel, Vorsel, dhe fshati Kosarovytshi. Në Isjum, Mariupol dhe Volnovaha nuk ka qenë i mundur evakuimi. Të premten mundën të vendoseshin në siguri 3800 vetë.

Edhe pala ruse ka raportuar për vështirësi në evakuime.

Ofensiva ruse drejt Kievit sakaq, vazhdon. Forcat e Moskës po drejtohen në kufirin verior të qytetit në Sasymja dhe në drejtimin jugor në Vyshenky, dhe kanë pasur sukses në disa zona. Bombardues strategjikë ruse vazhdojnë sulmet në rajonin Dnjeper,  Luzk dhe Ivano-Frankivsk.

Këto të fundit janë afër Lvivit, që konsiderohej deri vonë një zonë e sigurtë larg luftimeve. Sipas shtabit të përgjithshëm ukrainas, ushtria ruse përpiqet të thyejë mbrojtjen e rajoneve perëndimore dhe veriperëndimore të Kievit me qëllim që të “bllokojë” kryeqytetin. Presidenti ukrainas, Vlodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje nënave ruse të premten që të mos dërgojnë fëmijët e tyre në fushëbetejë dhe të jenë të vëmendshme për vendndodhjen e tyre.  Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një shtet të huaj”, tha ai përmes një regjistrimi video. Rusia pranoi për herë praninë e rekrutëve në mesin e forcave të saj në Ukrainë – shumica prej të cilëve nuk kanë qenë të trajtuar për luftë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA