Rritja e çmimit të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës ka shkaktuar revoltën e qytetarëve, që kanë dalë në protesta për të tretën ditë më radhë.

Në Lushnjë, këtë mëngjes banorët dolën në protestë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës, por dhe plehrave kimikë dhe produkteve të tjera që përdorin në bujqësi. Ata u mblodhën në vendin e quajtur “Pushimi i Shoferit” dhe për disa minuta bllokuan autostradën Lushnjë-Fier.

Një nga protestuesit shprehet se nuk mund t’ hedhë bimëve bujqësore plehra kimikë, pasi nuk mund të përballojë koston:

Plehrat janë trefishuar. Ureja sot është 13.00 lekë, ka qenë 4.800. Dabi dhe nitrati që duhen për të plehëruar tani tokat. Nuk i plehëron dot. Çdo gjë është rritur, nuk është vetëm nafta”.

Edhe në Korçë, studentët e kanë nisur këtë të premte me protesta, kundër rritjes së çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës. Ata janë nisur duke marshuar nga Fakulteti i Shkencave.

Protestuesit në Korçë po protestojnë kundër rritjes së çmimit të naftës dhe produkteve të shportës, duke bllokuar rrugën dhe duke u përplasur me policinë.

Më pas korçarët dolën në disa akse të qytetin, u përfshinë në përplasje fizike me policinë, që donte t’i pengonte të dilnmin në rrugë. Edhe në qytetin juglindor, ata bllokuan qarkullim ndërsa thërrisnin drejt policisë “Na lini ta bllokojmë rrugën, mos na prekni me dorë. Duam të protestojmë!”


Me thirrjet “Ulni çmimin e naftës” dhe “Bashkohuni me ne”, studentë dhe qytetarë nga Kamza kanë nisur marshimin drejt Tiranës. Ata i kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të fikin makinën, në shenjë proteste për rritjen e menjëhershme të çmimit të naftës.

Ndërkohë, studentët e Universitetit të Tiranës, kanë paralajmëruar se do të ngrihen në protestë në orën 16:30. Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale, kërkohet që të gjithë studentët të nisen nga universiteti i tyre dhe të marshojnë para kryeministrisë. “Sot, ora 16:30 para Fakultetit Ekonomik bëhet nisja drejt protestës para kryeministrisë. Studentët e FHF, FGHH, FEUT, mblidhemi e nisemi së bashku”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, tashmë ka nisur protestat ku një grup studentësh kërkojnë uljen e çmimeve.

Kriza botërore e rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve të tjera ka prekur prej ditësh dhe Shqipërinë.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar qartas dhe në Shqipëri. Çmimet rekord të ditëve të fundit kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët. Fakt është që çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare është rritur gjatë ditëve të fundit. Dhe kjo gjë, siç ndodh zakonisht është reflektuar dhe në Shqipëri. Megjithatë stabilizimi i tregjeve ndërkombëtare ka nisur të sjellë ndryshime dhe në çmimin e karburanteve në vendin tonë. Këtë të premte, nafta po shiten 20 lekë më lirë se një ditë më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA