Megjithë hetimet e vazhdueshme dhe letërporositë e ndërkombëtarëve për subjekte të ndryshme që ushtrojnë aktivitetin në fushën e call center si këshillues financiare, ato vazhdojnë aktivitetin të pashqetësuar duke mashtruar qytetarë të shumtë. Kallëzimi më i fundit vjen nga një shtetas italian, i cili ankohet se është mashtruar në këtë mënyrë.

“Një shtetase mu prezantua në telefon në emër të një kompanie dhe më ofroi mundësitë për tregti online. Pasi pranova më kaluan në telefon menaxherin. Më bindën të investoj 50 mijë euro dhe nga ky investim në muajin shkurt fitova 6 mijë euro”, deklaron Maurizio Giorgini i cili më pas ra në kurth dhe humbi 108 mijë euro.

Italiani ka vënë në lëvizje drejtësinë shqiptare dhe sipas dëshmisë së tij, më pas rekomandimin e shqiptarit, ai depozitoi kursimet sipas udhëzimeve në një llogari në Poloni. Por pas kësaj lëvizjeje Giogino u telefonua nga një person i dytë që kishte një ofertë akoma më interesante dhe që e bindi në tre raste të investonte në monedhën Bitcoin.

Fillimisht i mashtruari ka denoncuar në policinë e Pesaros në Itali. Më pas sipas burimeve  ka mbërritur në Tiranë për të kërkuar zbulimin e mashtruesve. Përballë trendit të investimeve në kriptomonedhë edhe në Shqipëri, profesori i It FLorenc Hidri këmbëngul se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm.

Florenc Hidri: Rreziku më i madh vjen nga platformat fantazëm që përdorin metoda të shumta fishing sic janë call centera pra me anë të telefonatave, mesazhe apo emaile që prezantohen si specialist dhe i bindin të investojnë në këto platforma. Gjithmonë me anë të këtyre teknikave i nxisin të investojnë, fillimisht i joshin me shuma të vogla dhe kur i bindin për shuma të konsiderueshme, platforma fiket dhe informacioni humbet.

Mbi këshilluesit financiarë të call centerave, prokuroria e Tiranës po kryen disa hetime që dyshohet se kanë përvetësuar qindra mijëra euro nga shtetas të shumtë në Evropë.

Bëhet me dije jo zyrtarisht se këta këshillues financiarë që po fusin në grackë edhe shtetas shqiptarë që ju ofrojnë mundësinë për të investuar në monedhën virtuale.

Top Channel