Balluku furnizuesve të naftës: Kontrolloni rezervat, duhet të jenë të barabarta me 90 ditë shitje

11/03/2022 10:52

Ministrja e Energjisë Belinda Balluku u kërkoi këtë të premte furnizuesve të naftës të kontrollojnë nëse kanë gjendje rezervën e sigurisë së naftës, siç e parashikon ligji.

Rafineritë e naftës janë të detyruara të mbajnë rezerva sa 90 ditë konsum, tha Balluku:

” Ministria i ka të dhënat dhe janë të qarta dhe transparente të gjithë sasitë e rezervës së sigurisë që secili nga ju duhet të mbajë. Jeni të detyruar të mbani rezerva sigurie. Rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit duhet të mbajnë rezerva sigurie të barabarta me 90 ditë sigurie shitje. Bordi që kryeministri përmendi që do ngrihet për të menaxhuar në bazë ditorë të gjithë ecurinë e tregut ët naftës do ketë detyrë që përmes instrumenteve të kontrollit që administrojmë, do nisim kontroll në terren për të parë gjendjen faktike të depozitave të naftës ku duhet të gjendet sasia e rezervës së sigurisë të kërkuar. Kjo do të nisë duke filluar nga nesër në terren”, tha ministrja.

Ajo kërkoi nga tregtarët të rishikojnë tregun e eksporteve.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimit të hidrokarbureve në shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë. Disa shtete, si Serbia kanë ndaluar eksportin e disa lëndëve të para, siç është nafta, por dhe gruri, që po ashtu ka pësuar një rritje të çmimit.

Top Channel