Gazetari i Top Channel, Artur Bibe ndodhet në Kiev në ditën e 15 të luftës në Ukrainë.
Në kushte të pazakonta, nën monitorim të oficerëve, ai tha se ka mijëra ushtarë që qëndrojnë në gatishmëri të ndonjë sulmi, ndërsa priteshin lajme të mira nga takimi në Antalia të Turqisë mes ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe atij ukrainas, Dmytro Kuleba.
Ukraina po ushtron kontroll të rreptë në territorin e saj, ndërsa morën me forcë një grup bjellorus.
“Është e pamundur, janë forca ushtarake që kanë rrethuar zonën, autoritetet na kanë kërkuar të mos largohemi nga zona, edhe celulari im po monitorohet se çfarë raportohet, ngjitur me mua është një oficer që po monitoron se çfarë po raportojmë ne. Situata është nën kontroll, ukrainasit po presin, nëse politika nuk do të japë rezultat, e vetmja mënyrë do të jetë përdorimi i armëve, janë mijëra ushtarë të dislokuar.
Është një pikë strategjike këtu ku ndodhemi ne. Dëgjohen të shtëna, po ushtrohen kontrolle të rrepta, një grup i Bjellorusisë u nxor nga makina, njërin prej tyre e goditën dhe morën me vete, kurse gazetarin e lanë atje. Një natë e tmerrshme, çdo dy orë binin sirenat, preferova të mos zbrisja në vendstrehim, avionët fluturonin ulët çdo gjysmë ore. Në këtë moment që po flas po dëgjohen të shtëna, duhet ta ndërpresim këtë lidhje”, tha Bibe.
Edhe gjatë raportimit të tij, dëgjohen të shtëna armësh, ndërsa luftimet vijojnë 12 km larg Kievit.
“Luftimet janë në 12 km, janë zmbrapsur se i gjithë populli është në luftë, jo se nuk e mundin dot Ukrainën, nuk duan të bëjnë viktima, por presin që Ukraina të tërhiqet”, tha Bibe.
Top Channel