Mbillen 200 pemë përgjatë Lumit Lana/ Veliaj: Gjelbërimi rrit vlerën e pronës

10/03/2022 15:42

Nismës së mbjelljes se drurëve dekorativë në qytetin e Tiranës i janë përgjigjur donatorë të shumtë, duke bërë të mundur mbjelljen e 205 pemëve të llojeve të ndryshme.

Këtë herë ato u mbollën përgjatë zgjatimit të lumit Lana. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se gjelbërimi i rrit vlerën zonës, teksa dha lajmin e mirë se zgjatimi i Lanës do vijojë edhe nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar.

Ne kemi shtuar rrugë nga Materniteti i ri deri në Shkozë, që sjellin jo vetëm çlirim të trafikut, por edhe rritje të vlerës së pronës. Në të dyja anët e Lanës vlera e pronës është 3 apo 4-fishuar sepse investimet janë shtuar, është bërë më e lehtë për trafikun që vjen nga Fresku, Dajti, Shkoza, ndaj duam të vazhdojmë me këtë korridor të gjelbër. Do të fillojmë investimin në zgjatimin tjetër të Lanës, nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar. Vetëm duke pasur një korridor të tillë të gjelbër, i cili jo vetëm oksigjenon, por edhe lehtëson trafikun, ne mund të sjellim realisht Tiranën e ëndrrave që kemi projektuar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu mirënjohjen e tij për fondacionet, universitetet dhe miqtë që iu bashkuan nismës për mbjelljen e pemëve.

Kam një mirënjohje për Fondacionet dhe miqtë tanë që na janë bashkuar, për universitetet që na u bashkuan, për kompanitë private që s’kanë asnjë detyrim sepse i kanë paguar taksat, dhe e vetmja gjë që bëjnë nga dëshira e tyre është një kontribut shtesë për qytetin. Ne do të kapim edhe këtë vit standardin tonë të 100 mijë pemëve, sidomos këtë vit, që është viti i Rinisë”, shtoi Veliaj

Për mbjelljen e këtyre pemëve përgjatë Lanës ndihmuan fondacioni “Alternativa e se Ardhmes” ALSAR, fondacioni “Mirësia”, “Universiteti Metropolitan Tirana” dhe “Printec Albania”.

Top Channel