Denoncimi i Fiks Fare/ Investimi 130 milionë euro për TEC Vlorë “në kosh”, KESH merr me qira TEC ujor lëvizës!

10/03/2022 20:40

Një nga investimet e mëdha të Shqipërisë ka qenë TEC Vlora, me qëllim që të përdorej sa herë kishte krizë energjetike.

I projektuar në vitin 2001, në kulmin e atëhershëm të energjisë, dhe i ndërtuar në vitin 2009, TEC Vlora është ende “në konservim”. Megjithëse shteti shqiptar ka shpenzuar plot 130 milionë euro për ndërtimin dhe vijon të paguajë miliona të tjera për ta mirëmbajtur, investimi nuk është funksional, për shkak të “disa gabimeve”. Por, askush nuk është përgjegjës, megjithëse vlera e atij investimi po ulet vit pas viti, për shkak të amortizimit. Por, në situatën aktuale të çmimeve të larta të energjisë dhe karburanteve, qeveria shqiptare nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për ta bërë funksional. Për më tepër, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare po shpenzon dhjetëra miliona euro për të marrë me qira për 2 vite një TEC lundrues. Ose më saktë, anije me gjenerator të instaluar, e cila do të vendoset në bregdetin e Vlorës.

TEC Vlora, “konserva” 130 milionë euro!

Në muajin shtator të vitit 2016, emisioni investigativ Fiks Fare, denoncoi abuzimet ndër vite me TEC Vlora. Qeveria mori një kredi mbi 100 milionë euro nga Banka Botërore për ndërtimin e një Termocentrali, ndërsa shteti shqiptar vazhdon të paguajë këstet e kripura të kredisë, që shkojnë rreth 10 milionë euro në vit. Fiks Fare “rrëmoi” në arkivë, ku gjeti premtimet e ish-kryeministrave dhe ish-drejtorëve të KESH-it. Andis Harasani, ish-drejtor i KESH, tha në vitin 2004 se “jemi këtu për të bërë realitet një premtim që ka nisur që në vitin 1995, do të ndërtojmë TEC-in. Besoj se do të vijmë këtu për dy vjet që të inaugurojmë TEC-in”. Ndërkohë, ish-kryeministri Fatos Nano, tha po në vitin 2004 se “Termocentralit Energjetik në Vlorë do t’i shtohen projekte të tjera të energjisë…, si një park i madh energjetik, i cili jo vetëm do të balancojë sistemin, por do të sjellë mesa duket një tjetër gjigant, të nivelit të Fierzës edhe në brigjet e Vlorës. Cilësia e projektit në fjalë lidhet me startimin e këtij projekti të madh industrial energjetik në këtë zonë, lidhja e të cilit me sistemin elektroenergjitik shqiptar do të japë efekte të ndjeshme në furnizimin me energji elektrike për konsumatorët vendas, do të ulë ndjeshëm kufizimet e energjisë”.

Pas rotacionit politik në vitin 2005, premtimet vijuan t’i bënin të djathtët. Ish-drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, tha në vitin 2007 se “sipas kontratës, prodhimi duhet të fillojë në mesin e vitit 2009”. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha do të deklaronte në vitin 2008 se “Këta (punëtorët që ndërtojnë TEC-in) e ndryshojnë Shqipërinë, këta nuk bëjnë mitingje për të manipuluar të vdekurit, por ndërtojnë termocentrale”.

Sipas KESH-it, vlera e projektit ka shkuar mbi 130 milionë euro. “Kompania fituese, e përzgjedhur sipas procedurave të Bankës Botërore dhe me miratimin e saj, ka qenë ‘MAIRE Eginëring SPA’ (më vonë TECHNIMONT) me vlerën më të ulët se kompanitë e tjera. Ofroi 92 milionë euro. ‘SIEMENS AG’ Gjermani, ofroi 131 milionë euro” thuhet në përgjigjen e KESH-it. Kontrata me fituesin është lidhur më 9 shkurt 2007, pas miratimit të marrë nga Banka Botërore. Ndërtimi pritej të zgjaste dy vjet, por u shoqërua me vonesa të shkaktuara nga kontraktori. Në 2009, impianti pësoi defekt. Në janar 2011 u vendos që sistemi i marrjes së ujit nga deti të rindërtohej, gjë që u përfundua në korrik të atij viti. Certifikata e pranimit u lëshua në tetor 2011. Testimet u kryen në dhjetor 2011, por më 7 janar 2012, Termocentrali u bllokua nga një defekt i ri. “Faji” i këtij defekti nuk është marrë nga askush.

Në vitin 2016, drejtori i këtij impianti, Besnik Këndezi, tha se janë 60 punonjës që e mbajnë “nën konservim” këtë TEC. Në vit, kostoja financiare e shqiptarëve për të mirëmbajtur këtë TEC është 1 milionë euro.

TEC lundrues në brigjet e Vlorës, brenda Triportit!

Fiks Fare iu rikthye kësaj problematike pas plot 5 vitesh, duke shfletuar dokumente dhe duke biseduar me drejtues të KESH-it apo me grupe interesi. Gazetarët e emisionit investigativ biseduan me ish-drejtorin e KESH, Gjergj Bojaxhiu, për problematikën e TEC Vlora. Ai thotë se impianti nuk u mor me “çelësa në dorë”. Ndërkohë, ambientalisti Lavdosh Feruni, thotë se projekti pati probleme edhe në momentin e projektimit dhe ndërtimit. “Kjo çështje nuk është hetuar” tha Feruni.

Por, jo vetëm që kjo aferë nuk është hetuar, por qeveria ka tentuar që TEC Vlorë ta japë me koncesion. Emisioni investigativ siguroi dokumente se në vitin 2018 dhe 2019, qeveria shqiptare ka tentuar ta japë me koncesion këtë pasuri. Disa firma shfaqën interes, por koncesioni dështoi në momentin e fundit!

Ndërkohë, në kulmin e krizës energjitike, Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, po shpenzon miliona euro sërish për të prodhuar energji nëpërmjet lëndëve djegëse. Por, jo nga TEC Vlora, por nga një TEC Lëvizës. Sipas një dokumenti, në datën 24 janar 2022, KESH-i ka publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, një “thirrje për shprehje interesi”. Më tej shkruan se KESH-i është autorizuar nga qeveria shqiptare, ti drejtohet tregut ndërkombëtar për të marrë përkohësisht, 1-2 vjet, me qira asete gjeneruese termike shtesë, të cilat mund të instalohen dhe lidhen lehtësisht me Rrjetin e Transmetimit të Energjisë në Shqipëri. KESH-i kërkon që TEC-i lëvizës të ketë një fuqi të instaluar prej 110 deri 130 MË. Të jetë i disponueshëm për t’u dhënë me qira për një periudhë jo më pak se 24 muaj. Të përdorë karburant të lëngshëm dhe të jetë i disponueshëm për tu instaluar pranë TEC Vlora. Në pikën 8 kërkon që të të jetë një impiant i lundrueshëm, që të mos zërë hapësirat dhe të mos pengoje aktivitetet për konservimin apo rehabilitimin e TEC-it, gjatë periudhës së qiradhënies.

Më tej, KESH shkruan se impianti gjenerues preferohet të jetë i lundrueshëm dhe të pozicionohet brenda basenit të Triport-it duke mundësuar distancën e shkurtër të lidhjes me terminalet e linjës së transmetimit të TEC-it. Madje, KESH-i do të sigurojë të drejtat e përdorimit të basenit të Triport-it për vendosjen e impiantit. Por, në këtë dokument, KESH-i nuk ka specifikuar sa do të kushtojë qiraja për 24 muaj! Para pak ditësh, në faqen e internetit të Korporatës, është publikuar “njoftim për vlerësimin e shprehjes të interesit”, ku fitues ka dalë një bashkim operatorësh nga Italia dhe SHBA-ja.

Asnjë dëgjesë për TEC-in lëvizës, mbivendoset me koncesione

Ish-drejtori i KESH, Gjergj Bojaxhiu, thotë se në vend që të kishim një TEC për balancimin e sistemit, qeveria ndërmerr nisma të pa studiuara. Por, çfarë është TEC-i lundrues dhe ku do të vendoset?! Sipas një dokumenti që disponon Fiks Fare, TEC-i lindrues do të vendoset në Triport, Vlorë. Pra, brenda Portit të Peshkimit!! Do të jenë dy anije, të cilat do prodhojnë energji. Vendosja do të jetë në afërsi të TEC Vlorë, me qëllim që të jetë sa më e lehtë që energjia të hidhet në rrjet, pasi do lidhet me rrjetin elektrik të TEC Vlorë. Ndërkohë, për ambientalistin Lavdosh Ferruni, po bëhet dy herë gabim, njëherë në 2001 ku u vendos në atë vend turistik dhe me bregdet të mrekullueshëm dhe tani që po vendoset në Portin e Peshkimit.

Por, investimi 24 mujor për marrjen me qira të TEC-it lundrues po mbivendoset me dy projekte, koncesione që po zbatohen në Vlorë. Para pak muajsh, Ministria e Infrastrukturës dha me koncesion Portin e Vlorës. Sipas një dokumenti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në datën 29 mars 2021 dha me koncesion ndërtimin e Portit Turistik të Vlorës, që do vendoset në portin aktual. Firma fituese duhet të investojë 22 milionë euro dhe kundrejt investimit do të menaxhojë për 35 vite këtë port.

Ndërkohë, e njëjta ministri, në nëntor 2021, dha me koncesion 10 vite ndërtimin e Portit të Peshkimit në Triport, në zonën e Zvërnecit. Vlera e këtij koncesioni është plot 40 milionë euro. Pra, dy investime që mbivendosen me TEC-in lundrues. Por, a u pyetën grupet e interesit?! Lavdosh Feruni thotë se jo, teksa pohon se zona duhet të jetë turistike. Investimi, sipas Bojaxhiut, është spontan. Në fund, ambientalisti Ferruni thotë se qeveria duhet të hedhë sytë nga energjia diellore. Madje, ligji është miratuar, por s’kanë dalë ende aktet nënligjore!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA