Rritje e çmimit të energjisë/ Paralajmërimi i Ramës: Kostot e luftës duhet t’i ndajmë të gjithë

09/03/2022 13:03

Kryeministri Rama paralajmëroi se çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare do shkojë në shifra stratosferike.

Sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë; aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lek, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lek!”

Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet sepse prodhimi varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë! Thatësira, shkruan Rama, çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjetike.

Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht!  Gjasat janë që rritja marramendëse të vazhdojë dhe parashikimet shkojnë deri në çmendurinë totale të 1000 eurove për megavat orë!”

Rama shkruan se sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur faturën e energjisë. Këtë diference ai thotë se e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë USD që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë.

Kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi.

POR të gjithë duhet të vetëdijesohen se tanimë tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës, e cila nuk sjell kurrë të mira, po vetëm dhimbje.

Rama mbyll mesazhin e tij me fjalët se këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot, as nuk shmangim dot. Duhet vetëm ta përballojmë me kurajë, besim dhe durim. Të bashkuar, jo të ndarë.

Top Channel