Mësuese Verën e njoha në vitin 2020, si arsimtaren 75 vjeçare që përballë riskut për shëndetin e saj, në vend të pensionit zgjodhi të vazhdonte misionin për të edukuar.

Dy vite më pas rikthehemi në një nga shkollat private në Durrës, ku jep mësim Vera e cila sot është 77 vjeç, e nuk e ka ndërprerë për asnjë ditë mësimin gjatë periudhës së pandemisë, por që sot kemi fatin të takohemi në ambientet e jashtme pa maska…

Covidi nuk e ndau për asnjë moment nga profesioni, nga nxënësit që ajo I sheh si fëmijët e saj, por për fat të keq e ndau nga bashkëshorti…

“Humba tim shoq. Më 10 tetor iku në spital në 1 nëntor më dhanë lajmin. Nuk e besoj dot. Humbje e madhe. Por kontributin tim do të vazhdoj ta jap”.

Si mësuese Vera, u treguan të fortë të gjithë arsimtarët të cilët punuan në kushte të vështira  të ndryshuara befasishëm prej covidit, por jo të gjithë prej tyre ia dolën të ruanin veten nga sëmundja e shekullit të XXI. Që prej fillesave të përhapjes së koronavirusit në Shqipëri,  deri më sot 27 mësues ndërruan jetë në krye të detyrës, si mësuesi i gjuhës shqipe, Ded Malaj në shkollën Lidhja e Prizrenit.

Në pjesën më të madhe të institucioneve arsimore, mësimi zhvillohej në mënyrë tradicionale para pandemisë, por nga 9 marsi i vitit 2020 mësimi u zhvendos tërësisht në botën virtuale. Një realitet i ri i cili u vendos në mënyrë të menjëhershme, aq sa edhe fiskultura nisi te shpjegohej online.

Por jo të gjithë nxënësit mundën të ndiqnin mësimin në distancë nga shtëpia.

Madje në zonat rurale, kishte nxënës që nuk kishin as telefon, as drita.

Më të vështirë mbylljen e shkollave për të ndjekur mësimin online e kishin fëmijët me aftësi ndryshe.

Me hapjen e shkollave pas shpërthimit të pandemisë, në vitin 2021 sërish mësimi nuk ju rikthye normalitetit. Orët u zhvilluan të shkurtuara, si dhe nxënësit kishin nevojë për kohë që të përshtateshin me masat anticovid.

Infektimet e mësuesve apo vetë fëmijëve përgjatë kësaj periudhe shkaktuan mangësi të theksuara në njohuritë e nxënësve.

Ndaj kaosin e krijuar sot në shkollat shqipe, mësuesja 77 vjeçare refuzon të mos jap dijen e saj për ta ndryshuar, edhe pse kërkon që për ta ndryshuar gjendjen e sistemit arsimor sot duhet të kontribuojnë të gjithë.

Top Channel