Trenat nuk lëvizin më se s’kanë karburant? Reagon Hekurudha Shqiptare

08/03/2022 13:45

Një informacion në rrjetet sociale se hekurudha shqiptare ka ndërprerë shërbimin e transportit për shkak të mungesës së karburantit ka rezultuar i rremë.

Drejtoria e Hekurudhës Shqiptare, me qendër në Durrës njofton se shërbimi vijon normalisht për të gjithë  udhëtarët besnikë të transportit hekurudhor. Aktualisht ofrohet udhëtim me tren vetëm në linjën Durrës-Elbasan-Durrës ku trafiku vazhdon i pandërprerë, sipas HSH-së, në oraret e përcaktuara, njëherë në ditë në të dy kahet e lëvizjes. Ndërkohë më 15 mars pritet të vihet në përdorim edhe linja Shkodër-Laç-Shkodër. Treni do të lëvizë në këtë linjë në shërbim të frekuentuesve të Kishës së Laçit, po dhe të gjithë udhëtarëve të interesuar.

Ndër vite shërbimi hekurudhor i mbërthyer nga kriza ka ardhur duke u reduktuar ndjeshëm dhe aktualisht ofrohet vetëm linja Durrës-Elbasan dhe anasjelltas dhe nga java tjetër edhe ajo Shkodër-Laç e kthim.

Për arsye të punimeve që po kryhen në rikonstruksionin e linjës hekurudhore, në segmentin Durrës- Kashar lëvizja e udhëtarëve bëhet me një autobus të vënë në dispozicion nga HSH, njëherë në ditë në të dy kahet e lëvizjes. Udhëtarët e transportit hekurudhor ndër vite janë reduktuar ndjeshëm dhe për shkak të pasigurisë, gjendjes në të cilën ndodhen trenat dhe linja e amortizuar hekurudhore ku së fundmi ka nisur të investohet pjesërisht.

 

Top Channel