Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson këtë të martë deklaroi se ukrainasit e zakonshëm po frymëzojnë miliona njerëz me guximin e tyre, duke shtuar se Britania dhe aleatët janë të vendosur për të furnizuar me armë, për të vendosur sanksione dhe për të shtuar presionin ndaj Rusisë, që të tërhiqet nga pushtimi i Ukrainës.
Një deklaratë të tillë, Johnson e bëri në përgjigje të fjalimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili mbajti para deputetëve britanikë.
Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të përdorë çdo metodë të mundshme derisa presidenti rus Vladimir Putin të dështojë në këtë sipërmarrje dhe Ukraina të jetë e lirë “edhe një herë”.
Kjo është dita e 13-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.
Më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe mbi 11 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën.
Ndërsa të paktën 474 civilë, përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt.
Top Channel