Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi të martën një ndalim të plotë të SHBA për importet ruse të naftës, gazit dhe qymyrit.
“Embargoja e importeve të energjisë u vendos në koordinim të ngushtë me aleatët,” tha Biden.
Ai tha gjithashtu se lufta në Ukrainë është një shenjë se tashmë bota duhet të jetë e pavarur në furnizimin me energji.
“Ne po ndalojmë të gjitha importet e naftës, gazit dhe energjisë ruse. Kjo do të thotë se nafta ruse nuk do të jetë më e pranueshme në portet amerikane dhe populli amerikan do t’i japë një goditje tjetër të fuqishme Presidentit Vladimir Putin.Kriza në Ukrainë është një sinjal se ne duhet të jemi të pavarurur në energji. Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Putin. Ky ndalim do të shtojë më shumë presionin ndaj Putin.”
Presidenti Biden paralajmëroi se ky vendim nuk do të vijë pa kosto:
“Vendimi nuk është pa kosto këtu në shtëpinë tonë. Lufta e Putinit tashmë po dëmton familjet amerikane në furnizimin me gaz. Që kur Putin filloi sulimin e tij ushtarak në kufirin ukrainas, vetëm që atëherë, çmimi i gazit në Amerikë u rri 75 cent. Me këtë aksion do të rritet edhe më tej”.
Nga ana tjetër edhe Bashkimi Evropian bëri publik planet për të eliminuar varësinë e tij nga energjia ruse. BE thotë se do të shkurtojë importet e gazit rus me dy të tretat këtë vit dhe do të eliminojë nevojën e saj të përgjithshme për naftë dhe gaz rus përpara vitit 2030.
Bashkimi Evropian varet nga Rusia për rreth 40% të gazit të saj natyror. Rusia gjithashtu furnizon rreth 27% të naftës që BE importon çdo vit.
Zëvendëskryeministri rus Alexander Novak tha të hënën se Rusia mund të ndërpresë furnizimin me gaz për Gjermaninë nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1 si hakmarrjeje ndaj kancelarit Scholz që bllokoi projektin e gazsjellësit Nord Stream 2.
BE njoftoi gjithashtu një sërë masash për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë me të cilat blloku po përballet prej disa muajsh.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha: “Ne duhet të bëhemi të pavarur nga nafta, qymyri dhe gazi rus. Ne thjesht nuk mund të mbështetemi te një furnizues që na kërcënonhaptazi. Ne duhet të veprojmë tani për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë, për të diversifikuar furnizimin tonë me gaz për dimrin e ardhshëm dhe për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë së pastër.”
Komisioneri i BE-së për Energjinë Kadri Simson tha se BE-ja ka sasi të mjaftueshme gazi për javët e mbetura të këtij dimri, por se duhen rimbushur rezervat urgjentisht për vitin e ardhshëm.
Top Channel