Atentat për herë të dytë/ Shpëton shënjestra në Lezhë, biznesmeni nuk bëri kallëzim

08/03/2022 20:14

Në urën kryesore në hyrje të qytetit të Lezhës, për të dytën herë i bëhet atentat biznesmenit të njohur Aleksandër Deda.

Mësohet se shënjestra ka qenë duke dalë nga lokali i tij për të hipur në makinë, ndërkohë një makinë tjetër e cila ka qenë në ecje drejt tij ka qëlluar, por fatmirësisht plumbat kanë kapur vetëm pjesën e kapeles që ai mbante, duke mos i shkaktuar plagë këtij të fundit. Ndërkohë autorët mësohet se kanë qenë në ruajtje të tij, pasi shënjestra kishte vetëm një ditë që kishte ardhur në Shqipëri. Që prej atentatit të pare, ai ishte larguar jashtë vendit.

Burime nga policia bëjnë me dije se drejt tij është qëlluar 4 herë me një armë tip pistolete. Ai ka vendosur të largohet nga vendi i ngjarjes duke mos bërë një kallëzim pranë komisariatit të Lezhës, por policia e ka mësuar ngjarjen në rrugë operative.

Më pas policia e ka shoqëruar  rreth orës 5 të pasdites në komisariat ku në deklaratën e tij ka treguar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1 te mesditës, gjithashtu nuk ka dhënë më tepër detaje ndaj atentatorëve apo konflikteve që mund të ketë pasur më herët. Policia ka sekuestruar kamerat në biznesin e tij për të bërë te mundur dhe identifikimin e autorëve. Pista ku policia po heton është ajo e larjeve të hesapeve. Kujtojmë se edhe në vitin 2020, 43-vjeçari i shpëtoi një tjetër atentati në autostradën Lezhë- Milot ku mbeti i plagosur.

Top Channel