Rusia kërkon armëpushim-ukrainasit nuk e besojnë, Londra: Rusët nuk po avancojnë

07/03/2022 12:11

Mediat shtetërore ruse raportuan se Moska do të hapë korridore të reja humanitare në disa qytete ukrainase gjatë ditës së sotme, për t`i lejuar civilëve evakuimin.

Në njoftimin e ministrisë ruse të mbrojtjes përmenden disa qendra të banuara të rëndësishmë si Kievi, Kharkivi, Sumy e Mariupoli. Por nga ana e ukrainasve, ka vetëm heshtje.

Pohimet e Moskës janë pritur me skepticizëm, e jo pa të drejtë. Dy herë dështoi hapja e rrugëve për të lejuar banorët të largoheshin nga Mariupoli, në juglindje të vendit dhe mbrëmjen e një dite më parë, disa civilë mes tyre edhe dy fëmijë, u vranë në afërsi të Kievit; faji i vetëm i tyre ishte se kërkuan t`i shpetonin bombave dhe tmerrit të një lufte që nuk e kishin menduar kurre se do të vinte tek ata.

Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia vazhdoi të bombardonte Mariupolin gjatë orëve të armëpushimit, duke e shkelur hapur atë e duke shkaktuar konfuzion mes njerëzve, të cilët nisën të ktheheshin mbrapsht sërish. Mëngjesin e sotëm, zjarri i artilerisë ruse u përplas mbi qytetin port Mykolaiv.

Në një mesazh në Facebook, kryebashkiaku i tij, Oleksandr Senkevych, shkruante se forcat e Moskës kanë shënjestruar ndërtesa rezidenciale e postoi dhe pamje të një blloku apartamentesh në flakë. Ai paralajmëroi se ka shumë predha të pashpërthyera në qytet.

“Kujdes mos u afroni, mos i ngrini dhe mos u përpiqni t`i lëvizni nga vendi vetë”, është shprehur Senkevych. Sulmi i ri rus erdhi një ditë pasi forcat ukrainase kishin zbrapsur një mësymje te armikut dhe kishin marrë sërish kontrollin e aeroportit lokal.

Pavarësisht sulmeve që kanë ndërmarrë, forcat ruse sipas zyrtarëve britanikë të mbrojtjes pak kanë avancuar këto 48 orë, të penguar nga rezistenca ukrainase dhe mbështetja e dobët logjistike. Si zor që Moska të ketë arritur ndonjë objektiv të saj sipas planit kohor”, thuhet në raportin e inteligjencës së ministrisë së mbrojtjes në Londër.

Top Channel