Aksidenti tragjik me 5 viktima, specialistët: Njëri prej shoferëve bëri parakalim të gabuar, rruga nuk kishte ndriçim

07/03/2022 14:32

Mungesa e ndriçimit dhe lagështia në rrugë kanë qenë shkaku i aksidentit të rëndë ku humbën jetën 5 persona, mes të cilëve dhe një çift i sapofejuar, thonë specialistët.

Ngjarja tragjike ndodhi në minutat e para të ditës së diel, më 6 mars, në aksin Fushë-Krujë – Milot, një nga akset më të rrezikshme në vend. Specialistët e qarkullimit rrugor bëjnë me dije paraprakisht se njëri nga drejtuesit e mjeteve ka bërë dhe parakalim të gabuar, që në kushtet e lagështisë dhe mungesës së ndriçimit në rrugë ka çuar në përplasjen fatale të dy mjeteve.

Në aksident humbën jetën dy drejtuesit e automjeteve të përfshira në aksident, si dhe tre pasagjerët e njërit prej mjeteve të cilët ishin kthyer nga një natë festive. Aksi rrugor ku ndodhi aksidenti njihet si një nga akset më të rrezikshme në vend edhe për shkak të parakalimeve të gabuara.

Si pasojë e aksidentit, humbën jetën dy drejtuesit e automjeteve Alfred Dika, 39 vjeç, dhe Artan Alushi, 30 vjeç, si edhe dy pasagjerët Shkumbin Brati, 20 vjeç, dhe Almenia Karaj,16 vjeçe, që ndodheshin në automjetin që drejtonte Alfred Alushi dhe 34-vjeçarja, Rudina Haka, e cila vdiq pasditen e djeshme në spitalin e traumës në Tiranë.

Top Channel