7 marsi në Çiflig, nxënësit: Mësuesja e klasës na kërkoi lekë për dhuratën

07/03/2022 21:09

Mësueset e shkollës fillore të Çifligut në Korçë morën masa një javë përpara ditës së 7 marsit, në mënyrë që nxënësit e tyre të mos gabonin në përzgjedhjen e dhuratave.

Mësueset orientonin nxënësit e klasave ku nuk jepnin mësim për të mbledhur lekët dhe për të përzgjedhur sa më mirë dhuratat për koleget e tyre

Fiks fare solli fakte nga mënyra sesi e kishin mendua të organizonin festën e 7 marsit mësueset e shkollës fillore në Çiflig të Korçës

Mësuesja që jepte mësim në klasat e para dhe të treta u kërkon nxënësve të klasave të dyta dhe të katërta që të mblidhnin lekë më vete për lulet dhe lekë të tjera për dhuratën për mësuesen e tyre

Fiksi solli me zë dhe figurë nxënësit e shkollës që tregonin për këtë gjë.

Madje njëra prej tyre vetëm 8 -vjeç ankohet në shtëpi se mësuesja e ka vënë në presion për të paguar.
Emisioni investigativ transmetoi filmimin me video që prindi i bën fëmijës sapo kthehet nga shkolla në shtëpi, ku e mitura e shqetësuar tregon presionin që i është ushtruar në shkollë për paratë.

Fëmija tregon se mësuese Olgeta Gace i ka kërkuar para për dhuratën e mësuese Anila Poloskes, një mijë lekë për lulet dhe dy mijë lekë për dhuratën. Këtë gjë mësuesja e ka bërë disa herë duke i thënë fëmijës që prindi mos të të ndajë nga kolektivi dhe grupi i shokëve, por të dorëzonte lekët. Prindi i fëmijës shkon dhe takon mësuesen kujdestare e cila i thotë se do e sqarojë këtë problem me kolegen e saj. Ajo tregon se mësuesit e tjerë edhe mund të vijnë në klasë pasi ajo largohet qoftë për të shkuar në tualet.

Gazetarët dhe bashkëpunëtorët e Fiksit shkojnë në shkollën fillore të fshatit Ciflig në Korcë për të marrë të tjera informacione për rastin. Vetë fëmijët tregojnë se mësueset kanë kërkuar para me detyrim. Ata tregojnë se mësuese Olgeta Gaçe ka kërkuar paratë për mësuese Anila Poloskën .

Gazetarët kërkuan të takonin mësueset në shkollë, pavarësisht se ora ishte 12:45, asnjë mësuese nuk ndodhej në këtë institucion përveçse sanitares ndërkohë që duhet të qëndrojnë në shkollë deri në orën 13:40.
Sanitarja tregon se mësueset largohen çdo ditë para orarit zyrtar. Gazetarët telefonojnë mësuesen përgjegjëse në shkollë,znj Anila Poloska ,njëkohësisht kujdestare e klasave të dyta dhe të katërta, ku kërkoheshin edhe paratë për festën e 7 marsit.Pyetjes se përse nuk ndodhej në shkollë, mësuesja kërkon që të mos i përgjigjet.Për sa i përket lekëve që po mblidheshin për dhuratën e saj të 7 marsit, mësuesja Poloska mohon që t’u ketë kërkuar para nxënësve dhe i adreson nxënësit që të diskutojnë me mësuesen që përmendej në video

Gazetarët e Fiksit kontaktuan edhe me mësuese Olgetën. Ajo mohon që t’u ketë kërkuar lekë fëmijëve.Sipas sa, kanë qenë fëmijët që i kanë kërkuar ndihmë asaj, pasi nuk po organizoheshin dot për të mbledhur lekët. “Këtë gjë e bëra thjesht për t’i ndihmuar” thotë mësuesja.

Gazetarët e Fiksit shkojnë në Zyrën Vendore Arsimore Korçë, drejtuesi i këtij institucioni thotë se do ngrenë një komision për ta parë problematikën në terren. Do pyesin gjithashtu edhe fëmijët pasi kjo është situatë është e papranueshme dhe e rëndë. Gjithashtu edhe thyerja e orarit të largimit nga shkolla e mësuesve. Pas 2 ditëve ZVA Korçë kthen përgjigje zyrtare në të cilën thuhet se ka kontaktuar të njëjtën problematikë në terren si emisioni fiks fare. Komisioni ka vendosur që ndaj mësuesve do merren masa.

“Në vijim të takimit me ju mbi rastin e referuar në shkollën 9-vjeçare Çiflig, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Korçë-Pustec hartoi menjëherë urdhër mbi ngritjen e grupit të punës të përbërë nga drejtuesi i Institucionit Arsimor si dhe Punonjësja Sociale e cila mbulon shkollën e sipërpërmendur. Grupi i punës zhvilloi takime me mësuesit, prindërit dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare Çiflig. Pas verifikimit të rastit u njoftua Komisioni i Etikës dhe Komisioni i Disiplinës në shkollë. Pas mbledhjes së Komisionit të Etikës dhe të Disiplinës në shkollë, në respektim të afateve dhe procedurës nga drejtori i Institucionit Arsimor do merren masat përkatëse sipas Nenit 107 dhe 108 të Urdhërit Nr 31, dt 28.01.2020 “Rregullore e funksionimit të Institucioneve Parauniversitare në Republikën e Shqipërisë”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel