Nuk kanë nisur ende zgjedhjet në bashkinë e Vorës, ndonëse kanë kaluar më shumë se 30 minuta nga orari zyrtar i nisjes së zgjedhjeve.

Gazetarja e Top Channel, Doris Sallaku bën me dije se mungojnë komisionerët e PD sepse nuk kanë ende autorizimet.

654,538 shtetas shqiptarë do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj në bashkitë Vorë, Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë mes kandidatëve të PS, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të përbërë nga LSI dhe PDK.

Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar. 10,134 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në 6 bashkitë, qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.

Në të gjitha qendrat e votimit do të jetë identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve ose më parë, ka njoftuar para disa ditësh kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi. Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga Presidenti Meta më 20 janar të këtij viti.

Top Channel