Blerim Shera i Partisë Socialiste është zgjedhur kryetari i ri bashkisë së Vorës për një mandat 1-vjecar me 7530 vota.
Në vend të dytë, doli kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Lulzim Vrana ndërsa kandidati i PD, Ymer Marku doli në vendin e tretë.
Nga 30.344 votues që ka në total bashkia e Vorës, vetëm 11.096 qytetarë zgjodhën që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Vora është e para bashki që shpalli rezultatin e zgjedhjeve për shkak të numërimit në mënyrë elektronike. Menjëherë pas daljes së rezultatit, Blerim Shera tha se do të vijojë projektet e lëna përgjysmë nga socialistët.
Bashkia e Vorës është e vetmja nga 6 bashkitë ku votimi dhe numërimi u bë në mënyrë elektronike. kjo solli vështirësi kryesisht për moshat më të mëdha ndërsa problematika ka pasur dhe identifikimin elektronik.
Nga rezultati për bashkinë e Vorës me tre njësi administrative, Vorë, Prezë dhe Bërxull u vu re se edhe në Gërdec Koalicioni Shtëpia e Lirisë mori 32 vota ndërsa Partia Demokratike 6 vota.
Procesi i zgjedhjeve në Vorë u shoqërua me problematika që në nisjen me vonesë pas orarit zyrtar për shkak të mospranimit të kryetarëve të komisioneve të paraqitur nga Partia Demokratike, pasi këto të fundit nuk ishin banues në Vorë, ndaj nga 44 qendra votimi në gjysmën e tyre procesi u zhvillua me nga 4 anëtarë, numër i mjaftueshëm ky për procesin zgjedhor.
Top Channel