Për herë të parë në Tiranë! Nis “Fem Fest”, një festival për gruan shqiptare

06/03/2022 16:27

“Fem Fest”, një festival për gruan shqiptare ka çelur siparin e shfaqejeve artistike të edicionit që vjen në Tiranë për herë të parë dhe jo pa qëllim, por për të dhënë idenë e një 8 Marsi ndryshe.

Ky festival që vjen me synimin për sensibilizimin e grave dhe për të ndryshuar edhe realitete të trishta në jetën e tyre, u përshëndet mbrëmë edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Kryebashkiaku përgëzoi nismën e artisteve, por sidomos kauzën e një 8 Marsi ndryshe.

Ai solli në vëmendje një prej nismave që favorizojnë gruan në familjen shqiptare. “Vendosëm që ndihmën ekonomike t’ia jepnim grave, sepse kishim parë që, kur ndihmën ekonomike e merrte burri, ajo shkonte menjëherë në një lokal, ose në një pikë bastesh. Ndërkohë kishim parë se kur ndihmën ekonomike e merrte gruaja, ajo shkonte menjëherë për veshmbathje, për ushqime dhe për libra për fëmijët,” deklaroi kreu i Bashkisë, duke shtuar se, nuk ka kauzë më të denjë dhe më të vyer sesa arsimi i grave dhe vajzave.

“Femfest” është ndërtuar me një platformë shfaqjesh mbresëlënëse, debatesh, këngë, muzikë, ekspozitë, sfilata dhe një protestë këpucësh të kuqe. Pjesë e festivalit që nisi mbrëmjen e djeshme dhe do të vijojë deri në 8 Mars do të jenë artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane dhe këngëtare të cilat nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit do t’u japin zë edhe problemeve që nuk fliten, apo atyre që nuk dëgjohen. Të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për 4 bursa studimi për studentet më të mira të Universitetit të Arteve.

Top Channel