Qytetarët sot janë zgjuar me çmimet e naftës 230 lekë/litër që përbën një rekord në historinë e vendit.

Çmimi i naftës u rrit me 40 lekë prej mesnatës së djeshme. Ndikimin mbi këtë çmim e ka krijuar çmimi në bursat ndërkombëtare por edhe taksat që paguhen për çdo litër të shitur.

Faktori kryesor është lufta ne Ukrainë dhe sanksionet ndaj Moskës. Çmimi aktualisht në bursa ka shkuar në 120 dollarë për fuçi, dhe arsyeja është se Rusia, vendi i dytë prodhues në botë i naftës, nuk lejohet më ta eksportojë atë, sepse anijet pengohen të lëvizin. Dhe janë të paktën 10 milionë fuçi nafte në ditë që dalin nga tregu për shkak të bllokadës.

Por ka edhe një tjetër faktor të brendshëm. Taksat e brendshme, nga ajo e qarkullimit, akciza e shtojnë çmimin final në pompat e benzinatave. Së fundmi është shtuar dhe një taksë tjetër, e quajtur e koncesionarit të pompës, prej gati 35 milion eurosh në vit, një shifër që koncesionari po kërkon ta dyfishojë.

Si pasojë,  e luftës në Ukrainë dhe e taksave në Shqipëri, qytetarët shqiptarë sot janë ndeshur me një rritje prej më shumë se 20 përqind për litër naft.

Sektori i hidrokarbureve është aktualisht edhe nën kontroll nga autoriteti i konkurrencës për vendosjen abuzive të çmimeve në mënyrë të kontrolluar. Qeveria e Kosovës pak ditë më parë vendosi ngrirjen e normës së fitimit për rritjen e çmimeve, si pasojë e konfliktit në Ukrainë. Ajo e Tiranës së fundmi, është kujdesur vetëm për shtimin e taksave.

Top Channel