Sa herë hapim dritat na kujtohet fatura e dritave. Një faturë qe sa vjen e shtrenjtohet.

Po sa me shtrenjtë? E thjeshtë. Dy vjet me parë, çdo minutë që kjo llambë rrinte ndezur kushtonte dy here me pak ne faturën e dritave. Sot për ta mbajtur atë ndezur një minutë (bën pak pauzë), duhet të mendohemi dyfish.

Nëse më përpara në tregun e energjisë një megavat blihej me 90 euro, sot çmimi i tij është rreth 200 euro. Kjo në faturën e energjisë apo siç njihet ndryshe fatura e dritave për familjarët nuk ka sjellë ndryshim. Nën masat mbrojtëse të qeverisë ata paguanin një tarifë prej 9.5 lekësh për kilovat/orë, dhe po aq dhe sot, megjithëse çmimet e tregut përcaktojnë një kosto më shumë se dyfish për ta blerë energjinë.

Ata qe po e ndjejnë faturën e kripur të energjisë, janë Bizneset. Përjashto furrat e bukës, që janë të mbrojtura në çmim nga masat e qeverisë, të tjerët kanë filluar ta ndjejnë këtë dyfishim. Vendi ynë edhe pse arriti një rekord prodhimi të energjisë vitin e kaluar sërish 30% të nevoja duhet t’i importojë. Kjo pasi sasia e tepërt e prodhuar nga burimet hidrike, nuk rezervohet dot, por u nxor menjëherë për eksport.

Kriza e çmimeve të energjisë që filloi vitin e kaluar bëri që vendi të harxhonte 240 milionë euro, ndërsa shpenzimet e larta vazhdojnë.

Vetëm në dy muajt e këtij fillim viti  janë harxhuar mesatarisht 60 milionë euro për të blerë energji.

Sipas ekspertit Lorenc Gordani qeveria për të përballuar krizën e çmimeve të energjisë duhet të ndajë sektorin në fasha dhe të vendosë çmime preferenciale për disa industri, sidomos edhe pas shpërthimit të konfliktit të armatosur në Ukrainë:

“Duhet që qeveria të vendosë tarifa preferenciale për fabrikat e miellit dhe për ato në fushën e industrisë ushqimore. Të gjithë kompanitë e tjera duhet të kuptojnë se nuk mundën të shmangin përgjithmonë kostot e energjisë dhe barrat duhet të shpërndahet ndërmjet të gjithëve”.

Pavarësisht masave mbrojtëse të vendosura nga qeveria, duket se ato janë të pamjaftueshme, ndërkohë që çmimet e blerjes së energjisë mund të bëhen te papërballueshme. Në këto kushte përballë alternativës së pagesës së faturave qe shtrenjtohen çdo muaj, ka vetëm një mënyrë: kurseni!

 

Top Channel